Gjatë vizitës së përfaqësuesve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje në Austri, sot u mbajt një takim me deputetët e parlamentit austriak, anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Austri.
Në këtë takim, nga Lëvizja Vetëvendosje morën pjesë deputetët Albin Kurti dhe Salih Salihu, Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë Boiken Abazi bashkë me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Vjenë Serafina Bytyqi dhe Bekim Morina.
Ndërsa, të pranishëm në këtë takim nga deputetët austriakë ishin deputeti Peko Baxant, nga Partia Social-demokrate, deputeti Lukas Mandl, nga Partia Popullore, dhe deputetja Terese Reiter. nga partia NEOS. Gjithashtu, në këtë takim mori pjesë edhe aktivisti i shoqërisë civile në Austri, Januz Saliuka dhe Sekretari i Përgjithshëm i Grupit të Miqësisë Kosovë-Austri, Arbër Marku.
Në këtë takim deputetët austriakë u interesuan mbi gjendjen ekonomike dhe politike në Kosovë, si dhe për alternativën e Lëvizjes Vetëvendosje për të dalë nga kjo gjendje.
Ata gjithashtu shprehën interesin e madh të shtetit austriak për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e zhvillimit të saj ekonomik dhe në proceset e integrimit. Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje prezantuan pikat kryesore të programit politik dhe të alternativës qeverisëse të Lëvizjes, duke theksuar nevojën për ndryshimin e kursit ekonomiko-politik të vendit, si dhe rolin e mërgatës shqiptare në Austri si një urë që përforcon bashkëpunimin mes dy vendeve.
Vizita e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në Austri do të vazhdojë me tubime me bashkatdhetarët ne Vjenë, Graz dhe Linz.