Lëvizja Vetëvendosje, kandidati i saj për kryeministër Albin Kurti dhe kandidatët për deputet kanë zgjedhur Gjilanin për ta hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore, për zgjedhjet nacionale të 11 qershorit.
Fehmi Sylejmani, përgjegjës për informim i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, ka bërë me dije se të mërkurën prej orës 14:00., në Palestrën Bashkim Selishta në Gjilan, Vetëvendosje do ta bëjë hapjen e fushatës zgjedhore.
Përndryshe, ditë më parë, Ismajl Kurteshi, shef i shtabit zgjedhor të Vetëvendosjes në Gjilan, njëherësh kandidat për deputet, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që fushatën elektorale kësaj radhe ta fillon në Gjilan. “Ky fakt flet për përkushtimin e madh të Lëvizjes Vetëvendosje për Gjilanin dhe Anamoravën që për shumë vite janë lënë pasdore nga qeveritë e kaluara”, pat thënë Kurteshi.
Sipas tij, fushata e VV-së do të hapet në Gjilan me 31 maj, në orën 14.00 në hallën e sporteve të qytetit, ku i ftojnë të gjithë të interesuarit, pavarësisht përcaktimit politik, që të vijnë dhe përcjellin drejtpërsëdrejti shpalosjen e Programit Qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje.