(2L ONLINE) – Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, përmes një performance të organizuara para selisë së kryetarit të Komunës së Gjilanit, e kanë shpallur kreun e komunës, Lutfi Hazirin-Lutën, sportist të vitit, ndërsa për trofe ia kanë dhuruar një shishe alkool Jack Daniel’s. Kështu, përmes këtij ironizomi ata kanë dashtë të kritikojnë atë dhe institucionet komunale për gjendjen e rëndë në sferën e sportit, dhe në veçanti për mos shpalljen e sportistit të vitit, një aktivitet ky i përvjelshim por që nuk është mbajtur fare këtë herë.
Njëri nga aktivistë të Vetëvendosjes mbante në kokë një kuti në të cilën ndodhej një fotografi e kryetarit Hazirit, duke e portretizuar kështu veten si kryetar komune, bashkë edhe me rroba, por edhe me gjestikulacionet që janë karakteristikë e kryetarit Haziri, herë duke i përshëndetur qytetarët me dorën lartë, e herë duke vendosur dorën në ballë, përshëndetje kjo karakteristike që Haziri e kishte përdorur që nga zgjedhje e fundit e tutje. Ndërsa mbrapa kësaj “maskotë kryetari’, qëndronin aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes që improvizonin sportistët, me rekuizitat që kishin, topa të ndryshëm, ndërkohë që Nehat Osmani, aktivistë i Vetëvendosjes nga nënkomiteti për sport, sqaroi edhe arsyen e kësaj performance, që përcillej edhe nga një numër i konsiderueshëm i qytetareve kureshtar.
Osmani e ka kritikuar Hazirin dhe institucionet komunale që nuk e kanë organizuar ceremoninë e shpalljes së sportistit të vitit këtë herë dhe se sportistët nuk u nderuan nga organet komunale ani pse ata me rezultatet e tyre nderuan komunën dhe qytetarët e saj.
Sipas tij, sportistët e Gjilanit nuk kërkojnë lëmoshë e shpërblim, por presin respekt nga organet komunale, gjë të cilën kësaj here nuk e gjeten tek kjo qeverisje aktuale e Gjilanit e cila jo që ka harruar siç thotë Osmani, por sepse ata nuk kanë vizion për sportin dhe sportistët dhe po ashtu nuk ka kush brenda institucionet që e kupton rrugën e gjatë të një suksesi të një sportisti, nuk kanë përbrenda sportist që do ta bashkëndjente shpirtin, gëzimin dhe hidhërimin e sportistit.
Osmani i Vetëvendosjes nuk është pajtuar as me supozimet e pushtetarëve për dietë dhe kursime të buxhetit duke thënë se ato harxhime nuk po ndalen për udhëtime personale e partiake.
“Sportistët këtë “harresë komunale” e kanë kuptuar si fyerje dhe këtë injorim e kanë trajtuar si nënvlerësim institucional të sportit dhe Rinisë në përgjithësi”, ka thënë Osmani i Vetëvendosjes, për të shtuar edhe se Gjilani gjithnjë ka pasur kampion me të cilët është krenuar qyteti e kishte edhe përgjatë vitit që lamë pas, madje të tillë që tejkalojnë përmasat e sukseseve komunale e shtetërore.
Prandaj, sipas Osmanit, Vetëvendosje, rinia e saj, sportistët dhe sportdashësit në metaforën e gjithë angazhimit dhe mbështetjes institucionale komunale, në mënyrë simbolike e bëjnë shpalljen e sportistit të vitit: Për meritat e jashtëzakonshme në sukseset e sportistëve, Për përkrahjen dhe suportin kontinuel përgjatë tërë vitit dhënë sportistëve, Për kompensimin material, financiar dhe moral të sportistëve dhe klubeve sportive, Për ngritjen dhe krijimin e kushteve optimale në arritjen e rezultateve kulminante Për përmirësimin e infrastrukturës sportive me ndikim në rritjen e niveleve sportive e shumë merita tjera, natyrisht të gjitha këto në thonjëza, e shpallin Lutfi Hazirin – Sportist më i mirë i Vitit 2014 në Komunën e Gjilanit.
Përndryshe kjo performancë, që u përcoll edhe nga policia, kaloi pa telashe dhe pas përfundimit të saj aktivistë të Vetëvendosjes, por edhe qytetarë kureshtarë u shpërndanë të qetë. /2L ONLINE/