Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për arrestimin e dy aktivistëve të saj Veton Dragusha e Blerim Maqastena, për siç thonë, për shkak të pjesëmarrjes në një protestë para disa viteve.
“Në vend që të luftojë strukturat ilegale dhe t’i arrestojë prestarët e saj që çdo ditë e luftojnë shtetin tonë, pushteti kriminal i Isa Mustafës vazhdon përndjekjen dhe arrestimin e aktivistëve të Vetëvendosjes. Derisa dje ky kryeministër e emëroi drejtuesin e këtyre strukturave, Ivan Todosijeviqin, për ministër të Administrimit të Pushtetit Lokal, sot veglat e tij arrestuan aktivistët Veton Dragusha e Blerim Maqastena, për shkak të pjesëmarrjes në një protestë para disa viteve”, thuhet në një reagim të Vetëvendosjes.
Më tej thuhet se “Ka kohë që ky pushtet e ka bërë të qartë se angazhimi i tij është në kundërshtim me interesin e shtetit të Kosovës. Ky pushtet që protestuesit i lufton haptazi është i vendosur po e shndërron Kosovën në një shtet të egër autoritar”.
Prandaj është domosdoshmëri edhe angazhimi kundër vazhdimit të kësaj qeverisjeje. Aktivistët duhet të lirohen menjëherë dhe përndjekja ndaj Vetëvendosjes të ndalojë, përfundon reagimi i Lëvizjes.