(2L ONLINE) – Deklarimet e pushtetarëve se qytetarët gjilanas janë tejet të disiplinuar rreth obligimeve tatimore në pronë, kanë shtyrë anëtarin e Kuvendit Komunal, Fehmi Sylejmanin, t’i drejtohet autoriteteve përkatëse për të kërkuar informacion zyrtarë për këtë çështje.
Sylejmani, që është anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekt ky opozitar, iu është drejtuar me një kërkesë zyrtare Ilmi Limanit, u.d. drejtor për Buxhet dhe Financa dhe Nazmi Halilit, shef i Sektorit të Tatimit në Pronë me kërkesën për dhjetë lagjet/fshatrat më të ndërgjegjshme rreth obligimit të kryerjes së tatimit në pronë.
“Meqë thuhet se qytetarët gjilanas janë tejet të disiplinuar rreth obligimeve tatimore në pronë, zyrtarisht nuk posedojmë asnjë të dhënë, nëse vërtetë është kjo e saktë. Ndonëse dëshira jonë do të ishte shumë reale që përnjëmend këta qytetarë të jenë korrekt dhe të ndërgjegjshëm rreth obligimeve tatimore në pronë”, shprehet Sylejmani për Portalin 2L ONLINE.
Ai tha se ka kërkuar nga Limani e Halili, që në një afat optimal të ofrojnë të dhëna faktike dhe të verifikuar zyrtarisht nga ana e tyre se cilat janë dhjetë lagje / fshatra të komunës së Gjilanit, më të ndërgjegjshme rreth tatimit në pronë, përkatësisht që i kanë shlyer më së shumti këto obligime.
Sylejmani u ka dëshiruar këtyre autoriteteve komunale inkasim sa më të vëllimshëm, duke shpresuar se do të merr përgjigje në kërkesën e tij. Përndryshe, ai kohë më parë kishte adresuar edhe disa kërkesa drejtorive të tjera, por ka bërë të ditur për Portalin 2L ONLINE, se deri më sot ka mbetur pa marr përgjigje. /2L ONLINE/