Pushteti po mundohet t’i riaktualizojë aksionet e mëhershme të Lëvizjes Vetëvendosje nëpërmjet paralajmërimeve për arrestime të reja. Policia sot në mbrëmje e ka kërkuar në shtëpinë e tij aktivistin Ardian Huli për aksionin e heqjes së grilave të oborrit të Qeverisë në fundin e gushtit 2015, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes.
Lëvizja Vetëvendosje kishte kryer këtë aksion në kuadër të veprimeve të para, në kundërshtim të marrëveshjes së dëmshme për themelimin e ‘Zajednicës’ në Kosovë. Me të filluar aksionet, Qeveria kishte vendosur që të krijojë barriera të reja me qytetarët dhe kishte rritur rrethojat e Qeverisë.
Vetëvendosje ka argumentuar se barrierat e tilla nuk i përkasin një shteti demokratik. Ndërkaq, kundërshtimi i ‘Zajednicës’ ka hasur në përkrahje të madhe popullore, kurse vetë ky projekt është hedhur poshtë nga ekspertët. Këto janë arsye të mjaftueshme që përndjekja e aktivistëve është e panevojshme dhe po bëhet për arsye të tjera e që janë politike, thuhet tutje në komunikatë.
Ky pushtet po dëshmon që nuk mund të prodhojë asnjë praktikë e as mentalitet tjetër pos asaj policore. Kjo polici po tregon që derisa dështon në të gjitha fushat që i ka në mandat e kompetencë, mundohet të specializojë në përndjekjen e aktivistëve të Lëvizjes. Për ne, çështja e ‘Zajednicës’ është e mbyllur dhe nuk lejojmë që të hapet sërish në asnjë prej formave, thuhet në fund të komunikatës.