Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, përmes një reagimi të saj, ka kritikuar pushtetin në Gjilan për prerjen e drunjve në qytetin e Gjilanit.
“Komuna e Gjilanit, nuk e ka ndërmend ta ndalë krimin ndaj ambientit. Sharrimi i drunjve vazhdon të bëhet edhe në ato pak hapësira të gjelbra që i kanë mbetur qytetit dhe ky sharrim po bëhet nën urdhrat e krerëve të Komunës: Lutfi Haziri dhe Arbër Ismajli. Për dallim nga qeveria e kaluar komunale, e cila drunjtë i sharronte brenda ditës, strategjia e LDK-së tani më është e njohur për qytetarët e Gjilanit, këta të fundit i prejnë për çdo ditë nga 2-3 drunj”, thuhet në reagim.
Tutje në ktë reagim thuhet se: “Dje e kishin radhën drunjtë që ishin në mes të qytetit, mu përballë zyrave të krerëve të Komunës”.
“Është shqetësues fakti që edhe pas thirrjeve të qytetarëve të Gjilanit për ndalimin e prerjes së drunjve, kjo po vazhdon në mënyrë edhe më të vrazhdë dhe bashkë me të po vazhdojnë të jepen edhe tenderët korruptiv për mbjelljen e tyre”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes, Qendra në Gjilan!