Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani mbajti mbledhjen e parë të saj konstituive, në kuadër të zgjedhjeve të brendshme.
Në rendin e ditës ishte publikimi i rezultatit të zgjedhjes së kryetarit dhe zgjedhja e Kryesisë së Lëvizjes në këtë qendër. Prezentë nga Kosova ishte deputetja Aida Dërguti, e cila iu drejtua me disa fjalë të pranishmëve.
Ajo veçoi rëndësinë e angazhimit të mërgatës për zhvillimin e shtetit të Kosovës, qoftë në forcimin e vetëdijesimit për temat socio-politike që mbizotërojnë, por edhe për pjesëmarrjen në zgjedhje, thuhet në komunikatën e kësaj Lëvizjeje.
Pas kësaj u prezantua rezultati i zgjedhjes së Salih Abazit me shumicë votash si Kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani. Salih Abazi ka studiuar histori dhe gjeografi, dhe tani është drejtues i suksesshëm në fushën e gastronomisë.
Në fjalimin e tij inaugurues, Salih Abazi paraqiti qëllimet dhe prioritetet e tij gjatë mandatit të ardhshëm. Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje në Gjermani duhet të vazhdoi zgjerimin e saj me ritëm edhe më të lartë dhe theksoi se Lëvizja do të përqendrohet në stimulimin e mërgatës shqiptare që ajo të përdorë të drejtën e saj të votës si në Gjermani, po ashtu edhe në Kosovë, si dhe për zhvillimin e bashkëpunimit me partitë gjermane, e në veçanti me Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), thuhet tutje në komunikatë.
Tutje, Këshilli i Qendrës zgjodhi edhe kryesinë e re. Bersant Deva u zgjodh Nënkryetar i parë, Sabile Aliu-Sahiti Nënkryetare e dytë, Fëllanza Podrimja u zgjodh Sekretare Organizative dhe Safet Islami si Koordinator i Nënkomiteteve. Bekim Barileva do t’i drejtojë mbledhjet e Këshillit të Qendrës, kurse zëvendësi i tij u zgjodh Besart Simnica. Si dhe, anëtarë të tjerë të Kryesisë u votuan Hazir Sopi, Bajram Rudari dhe Osman Maliqi. Dhe në fund, delegatë për Këshilliin e Përgjithshëm u zgjodhën Kujtim Robelli, Sabile Aliu-Sahiti dhe Bajram Rudari.
Zgjedhja e strukturave të reja të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani vjen pas rritjes së vazhdueshme. Anëtarësimet e shumta që kanë ndodhur dhe vazhdojnë ende, dëshmojnë që mërgata shqipare është e vendosur për ndryshim, dhe se mundësia e vetme është Lëvizja Vetëvendosje, thuhet n fund të komunikatës së kësaj Lëvizjeje.