Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Belgjikë përmbylli me sukses procesin e strukturimit të brendshëm duke zgjedhur Kryesinë e re.
Aktivistët e pesë pikave të Lëvizjes Vetëvendosje në Belgjikë – Anvers, Bruksel, Brugge, Huy dhe Namur – zgjodhën Arben Fetain, kryetar të Qendrës.
Arbeni është këshilltar në fushën e zhvillimit ndërkombëtar me agjenci të ndryshme ndërkombëtare në Bruksel që nga viti 2009. Arbeni kishte punuar në Prishtinë në periudhën 2004-2008 si ekspert i çështjeve evropiane me Programin për Zhvillim të Kombëve të Bashkuara dhe me projekte të Komisionit Evropian. Ai është i diplomuar në shkencë politike nga Université Libre de Bruxelles dhe ka një Master në politika të jashtme të Bashkimit Evropian nga Instituti për Studime Evropiane në Bruksel, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes.
Kryetari i sapozgjedhur falenderoi aktivistët për angazhimin dhe besimin e treguar. Arbeni prezantoi vizionin e Lëvizjes Vetëvendosje për rolin e mërgatës dhe propozoi një sërë prioritetesh në të cilat do duhej të fokusohej Qendra në Belgjikë gjatë javëve dhe muajve në vijim.
Ky tubim zgjedhor u përshëndet nga Ahmet Gjanaj, Deputet në Parlamentin e Brukselit, i cili përgëzoi Lëvizjen për strukturimin e mërgatës në Belgjikë, si një ndihmesë e rëndësishme për faktorizimin e shqiptarëve në këtë shtet dhe në realizimin e të drejtave të tyre në përgjithësi. Ahmet Gjanaj shprehu gatishmërinë e tij për të punuar ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje drejt fuqizimit të komunitetit shqiptar dhe realizimit të synimit përfundimtar, atë të bashkimit kombëtar.
Më pas, Këshilli i Qendrës në mbledhjen e tij konstituive, zgjodhi Kryesinë e Qendrës. Bujar Krasniqi u zgjodh nënkryetar i parë, Valon Vuçetaj nënkryetar i dytë, Dardan Prebreza sekretar Organizativ dhe Erblin Shala koordinator i Nënkomiteteve. Kryesues i Këshillit u zgjodh Rediart Cankja, i cili do të ketë Gazmend Fetain si zëvëndës. Anëtarët e tjerë të Kryesisë u zgjodhën: Agon Efendiu, Ilir Morina dhe Urata Hysenaj. Në fund, Këshilli i Qendrës zgjodhi Bujar Krasniqin dhe Mesud Ismailin si delegatë në Këshillin e Përgjithsëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ne si Qendër e Lëvizjes Vetëvendosje në Belgjikë, do të angazhohemi maksimalisht në ndalimin e regjimit të instaluar në Kosovë dhe të projekteve të dëmshme të tij siç janë demarkacioni me Malin e Zi dhe “Zajednica”, projekte këto që do minojnë të ardhmen e vendit tonë duke cunguar dhe bosnjëzuar Republikën. Për më tepër, do të angazhohemi që zëri i mërgatës shqiptare në Belgjikë të jetë sa më i unifikuar dhe kësisoji reagimet ndaj padrejtësive të jenë më fuqimplota. Ne gjithashtu do të vazhdojmë angazhimin për krijimin e urave të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Belgjikës, përfshirë në nivelin lokal dhe atë mulitlateral, thuhet tutje në komunikatë.
Rritja e Lëvizjes Vetëvendosje si në Kosovë ashtu dhe në diasporë është e pandalshme dhe angazhimi ynë duhet të intensifikohet edhe më shumë në mënyrë që ti jepet fund këtij regjimi dhe kësaj klase politike që e ka kapur peng zhvillimin e Kosovës, thuhet në fund të komunikatës.