“Sot, në një ceremoni solemne janë dorëzuar mbi 200 kartela të anëtarësimit për qytetarët e Gjilanit të cilët nga sot e tutje janë bashkangjitur programit politik e ideologjik të Lëvizjes Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje çdo ditë e më shumë po rritet. Çdo ditë e më shumë konceptit të Lëvizjes po ju bashkohen qytetarë të rëndomtë, bujk e mjek, mësues e profesor, të rinjë e të reja, njerëz të lapsit e njerëz të dijes. Të tillë ishin edhe 200 anëtarët e rinj që nga sot e tutje do të jenë pjesë e aktivitetit të Lëvizjes”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Për të ndarë kartelat e anëtarësisë përveç kryetares së Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje-Gjilan dhe deputetes Besa Baftiu, kryetarit të ardhshëm të Gjilanit Sami Kurteshi, ishte edhe deputeti dhe themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Besa Baftiu në fjalimin e saj hyrës kujtoi fjalët e Albin Kurtit, nga momentet e para pas fitores së Lëvizjes në Prishtinë, ku kishte thënë se shtrirja e pushtetit të Lëvizjes do të vazhdoj në të gjitha komunat e Kosovës duke e kthyer pushtetin në duar të popullit.
“Kryetari i ardhshëm i Gjilanit Sami Kurteshi, i bindur se fitorja për Vetëvendosje-n është e sigurtë, ftoi qytetarët t’i bashkohen ndryshimit të madh në qeverisjen e Komunës së Gjilanit, ndryshim ky që ka emrin Lëvizja Vetëvendosje”, thuhet tutje në komunikatë.
Albin Kurti theksoi rëndësinë e anëtarësimeve të reja, duke thënë se është i nevojshëm kontributi i gjithsecilit në ndaljen e së keqes dhe fillimin e një epoke të re ku qeverisja e mirë është pjesë e pashmangshme pushtetit, dhe kjo natyrisht do të arrihet me fitoren e Vetëvendosje-s dhe kryetarit të ardhshëm Sami Kurteshi në Gjilan më 22 tetor.
“Ditë të mira për qytetarin e Gjilanit po vijnë. Punët e hajrit fillojnë veç me ardhjen në pushtet të Vetëvendosje-s”, thuhet në fund të komunikatës së Vetëvendosjes.