(2LONLINE) – Fehmi Sylejmani, anëtar i KK në Gjilan nga Lëvizja Vetëvendosje i ka adresuar një shkresë Drejtorit të Zhvillimit Ekonomik, Ismajl Januzi, përmes të cilës ka kërkuar investime për lagjen Dardania I dhe II
“Duke e marrë parasysh se në lagjen Dardania I dhe II, që nga pushteti i mëhershëm, përkatësisht që nga fillimi i ndërtimit të kësaj lagjeje nuk është investuar nga asnjë pushtet e veçmas të këtyre pas luftës, në emër të kësaj lagjeje e cila siç dihet është e ndarë në dy pjesë për shkak të konfiguracionit gjeografik, dhe si anëtar i Kuvendit Komunal, kërkojmë nga Ju z. drejtor, por edhe nga vetë kreu i komunës, që gjatë mandatit të Juaj ta keni parasysh këtë lagje dhe t’i shqyrtoni mundësitë për investime, duke ndërtuar një plan- ndërtimi të infrastrukturës për këtë lagje”, shkruan Sylejmani, në kërkesën në fjalë.
Më tej ai thotë qytetarët e kësaj lagjeje janë taksapaguesit më të rregullt dhe më të disiplinuar të komunës dhe nuk është korrekte, që këtë mirësi dhe korrektësi të tyre, t’ua dhurojmë me anashkalime e injorime të projekteve, që domosdoshmërish tashmë kanë nevojë. Por përkundrazi këtë ndërgjegjësim dhe kulturë të tyre, t’ua shpërblejmë me projekte konkrete dhe racionale
Sylejmani ka përmendur disa kërkesa akute – urgjente të këtyre qytetarëve, si asfaltimi emergjent i disa rrugëve të kësaj lagje, rregullimi i gypave dhe pesetave, veçmas kur ka të reshura atmosferike, rruga te Marketi “Bezi”, dy fushat boshe, të cilat janë shndërruar në treg të drunjve dhe kafshëve shtëpiake. Sa më shpejt të rregullohet një park në njërën anë të kësaj hapësire, kurse në anën tjetër të rregullohen fusha sportive rekreative, te fusha skaj xhamisë të ndërtohet një çerdhe e fëmijëve, kurse në anën tjetër një kopsht i gjelbëruar, minipark dhe mbjellje me pemë e drunj të ndryshëm, të pastrohet një objekt i rrënuar afër xhamisë
“Edhe përkundër që si pasojë e decentralizimit, hapësira mbi Kolegjin Fama i takon komunës së Artanës, shumë qytetarë gjilanas e veçmas ata të Dardanisë kohën e lirë e kalojnë duke ecur drejt majës së Gllamës, të cilët kanë nevojë gjatë rrugës të kenë të paktën disa ulëse për të pushuar kohë pas kohe. E pse jo edhe ndonjë çezme për ujë. Rregullimi i trotuareve, Sinjalizimi horizontal nëpër rrugët e kësaj lagjeje, Vendosja e shportave për mbeturina skaj rrugëve kryesore, Mirëmbajtja dhe ndriçimi në disa rrugë të kësaj lagjeje, Ndriçimi në rrugën qarkore, kur dihet se ke pas edhe rast fataliteti.
Pengesa apo “policë të shtrirë” në disa rrugë, meqë janë shumë të frekuentuar me makina dhe me shpejtësi herë pas herë të pakontrolluar nga disa ngasës të pandërgjegjshëm, që njëkohësisht po paraqesin rrezik për kalimtarët e sidomos për fëmijët që shkojnë në shkollë. Këtu është fjala për rrugën nga “Selami Hallaçi” e që lidhet me rrugën qarkore, apo rruga që ndan dy Dardanit”, ka thënë Sylejmani.
Ai tha se është mirë të verifikohet nëse është bërë pranimi teknik i rrugës së fundit në Lagjen Dardania II, duke marrë parasysh se aty akoma nuk ka përfunduar rregullimi i trotuareve si dhe të vërtetohet saktë trashësia e asfaltit.
“Shpresojmë se këto kërkesa të këtyre qytetarëve, këtë herë do të merren parasysh dhe do të fillon vërtetë implementimi i tyre. Njëherësh, Ju përshëndesim, duke Ju falënderuar për gatishmërinë që do ta shfaqeni për të jetësuar kërkesat e këtyre qytetarëve|, thotë Fehmi Sylejmani, anëtar i KK në Gjilan nga Lëvizja Vetëvendosje. /2lonline/