`Sistemi shtypës që është ndërtuar në Maqedoni është bërë edhe me ndihmën e atyre politikanëve shqiptarë që nuk kanë ditur të shikojnë përtej interesave të ngushta klanore të partive që përfaqësojnë. Bashkimi i faktorëve progresivë të politikës shqiptarë në Maqedoni është sot një nevojë urgjente që do të mund të haptë rrugën për drejtësi`, thuhet në njëreagim të Vetëvendosje.
Reagimi i plotë i Vetëvendosje
Në solidaritet me protestuesit në Shkup, Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me ngjarjet e fundit në Maqedoni. Procesi i fundit gjyqësor ndaj shqiptarëve të dënuar me burgim të përjetshëm, pa pasur prova, tashmë e vulosë idenë se akte të tilla të përsëritura të cilat mohojnë edhe të drejtat bazike qytetare shkojnë përtej paragjykimeve rastësore, dhe dëshmojnë për një strategji institucionale qëka për qëllim shtypjen dhe frikësimin e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone në Maqedoni
E drejta për të protestuar ndaj një sistemi të tillë jo vetëm që u takon të gjithë qytetarëve pa dallim, por kthehet edhe në një domosdoshmëri. Ndërhyrja e dhunshme e policisë në protestë veç sa e shpërfaqë edhe një herë padrejtësinë kundër të cilës po protestohet, duke i dhënë të drejtë protestuesve, të cilët janë rrahur, lënduar rëndë dhe arrestuar.
Lëvizja VETËVENDOSJE! bën thirrje për lirim të menjëhershëm të të gjithë qytetarëve të arrestuar gjatë përdorimit të së drejtës së tyre për të protestuar.