Sot, u shënua 11 vjetori i protestës së 10 Shkurtit 2007 kundër Planit të Ahtisaarit, dhe në të njëjtën kohë 11 vjetori i rënies së dëshmorëve Mon Balaj dhe Arben Xheladini.
“Deputetë e aktivistë të Vetëvendosje s, bashkë me qytetarë të shumtë, bënë homazhe tek varri i Mon Balajt në Besianë, tek varri i Arben Xheladinit në Prishtinë, si dhe tek pllaka përkujtimore në sheshin kryesor të qytetit. Me 10 Shkurt 2007 po kundërshtohej copëtimi i territorit dhe tjetërsimi i historisë. Atë ditë po demonstrohej në mënyrë paqësore për Liri e Vetëvendosje. Atë ditë ranë në altarin e lirisë Mon Balaj e Arben Xheladini. Ata u bashkuan në karvanin e gjatë të dëshmorëve të kombit tonë duke e dhënë jetën e tyre në mbrojtje të atdheut”, thuhet në komunikatë ne Vetëvendosjes.
Më tej thuhet se demonstrata e 10 Shkurtit ishte kundërshtim ndaj padrejtësive që sillte Pakoja e Ahtisaarit. Gjashtë faqet e atij dokumenti ishin gjashtë padrejtësitë që po i instaloheshin vendit tonë. Vetoja e shumica e dyfishtë në institucione, decentralizimi mbi baza etnike, eksterritorialiteti i kishave dhe manastireve, betonimi i sundimit ndërkombëtarë dhe pjesëmarrja në borxhin e jashtëm të Serbisë ishin padrejtësitë që cungonin lirinë dhe sovranitetin si dhe pamundësonin zhvillimin normal të shtetit të Kosovës.
“Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë Monin e Arbenin dhe do të vazhdojmë pa u ndalur drejt vullnetit të tyre që të mos lejojmë as të copëtohet e as të falet territori ynë përmes Zajednicës e Demarkacionit”, tha në fjalën e saj deputetja Fitore Pacolli.
Aktualiteti i demonstratës së 10 shkurtit 2007 është përherë me neve dhe në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje! e ka gur themeltar të vetin këtë demonstratë, e cila paraqet jo të kaluarën tonë, por edhe pishtarin e rrugën tonë në vijim. Edhe pas 11 vitesh askush nuk është gjykuar e dënuar për vrasjet e plagosjet në këtë demonstratë.
“Ne nuk do të ndalemi asnjëherë në rrugën tonë të drejtë, ne nuk do të rreshtim duke kërkuar drejtësi për 10 Shkurtin” tha në fjalën e tij deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Ismajl Kurteshi.
Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti në fjalën e tij para pllakës përkujtimore në sheshin kryesor të Prishtinës tha që , “pa ndërprerjen e diskriminimin mbi baza etnike dhe fetare, pa e bërë demokracinë e njëmend në institucione e në shoqëri, pa e pasur Kosova ushtrinë e vet, pa u zbrapsur Serbia nga ambiciet dhe apetitet e saja shoviniste dhe hegjemoniste nuk do të mund të kemi liri, demokraci, zhvillim dhe sovranitet, atë çfarë paraqet ëndrra dhe dëshira e dëshmorëve tanë që janë dëshmi për të kaluarën tonë të lavdishme dhe udhërrëfyes për të ardhmen tonë”.
Arbeni dhe Moni te cilët me aktivizmin e tyre dhe sakrificën e tyre gjithmonë do të jenë pjesë e frymëzimit të Lëvizjes Vetëvendosje! ata janë motivi ynë, ata janë e vërteta jonë. Lavdi për jetë e mot për dëshmorët Mon Balaj e Arben Xheladini! Lavdi e përjetshme për të gjithë dëshmorët e kombit. Krimi nuk vjetrohet. Lëvizja nuk ndalet, u tha në fund.