I pari i Komunës së Gjilanit, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, para drejtorëve të shkollave, deklaroj se arsimi është prioritet i tij dhe Komunës. Ata që e njohin realitetin mbi gjendjen e arsimit gjilanas e dinë se kjo deklaratë e Lutës nuk përkon aspak me realitetin. Hendek i thellë në mes të Deklarimeve dhe Realitetit.
Kështu thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, sipas të cilës, Gjilani është e vetmja komunë në Kosovë, e mbase edhe më gjerë që ende në shumë shkolla fillore e të mesme mësimi zhvillohet në tri ndërrime e ora zgjat vetëm 30 minuta.
“ Gjilani është e vetmja komunë, që me vendim të kryetarit të Komunës, që në një anë mbyll shkolla e në anën tjetër i shkurton orët sepse i shton ndërrimet. Si që është rasti me Shkollën e Mesme të Bujqësisë, e cila fal donacionit milionësh të “Danidës” nga Danimarka, kishte krijuar kushte ideale për punë praktike në sera, fermën e lopëve, pemishten dhe laboratorët modern si dhe hapësirën e mjaftueshme për mësim teorik në objektin e ri dhe modern të shkollës”, thuhet tutje në komunikatë.
Sipas Vetëvendosjes, DKA në Gjilan, është e vetmja Drejtori e Arsimit në Kosovë që hapë paralele të reja dy muaj pas fillimit të vitit shkollor, si që ishte rasti i dy paraleleve të hapura në nëntor të vitit 2016 në Shkollën e Mesme të Mjekësisë.
Në Shkollat e Gjilanit, kuadri pranohet kryesisht përmes lidhjeve partiake, shpesh pa konkurs, me kontratë në vepër, ndonjëherë me ryshfet, por pothuaj asnjëherë me merita.
“Arsimi gjilanas nuk ka nevojë për deklarime të këtillë, arsimit në Gjilan i nevojiten investime që do të plotësonin kushtet për punë normale, pra orë të mësimit që zgjasin 45 minuta, kushte për punë të mirëfilltë praktike të nxënësve, laborator e kabinete, që mundësojnë ngritjen e cilësisë.
Këto fraza të thata, në prag të zgjedhjeve lokale, të Kryetarit në ikje të Komunës, nuk do t’i mashtrojnë edhe njëherë qytetarët e Gjilanit që e kuptojnë rendësin e arsimit dhe angazhohen që arsimi me të vërtet të jetë prioritet”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan..