Sot, në Ditën Botërore të Shëndetësisë, Lëvizja Vetëvendosje mbajti një konferencë për media, në të cilën folën Nënkryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku dhe deputetja Besa Baftiu.
Kosova prej 18 vitesh po ballafaqohet me një rrezik gjithnjë e më prezent siç është rritja e koeficientit të sëmundshmërisë. Në këtë drejtim përgjegjësia është një dhe e vetme, ajo i takon institucioneve qendrore publike.
Nënkryetarja Mulhaxha-Kollçaku tha se motoja e shënimit të 7 Prillit këtë vit është “Të flasim për depresionin”, moto e cila përshtatet jashtëzakonisht shumë me gjendjen aktuale të shëndetësisë në Kosovë. Mosbesimi, keqmenaxhimi, mungesa e kapaciteteve dhe mosfunksionalizimi i atyre ekzistuese, financimi jo i qëndrueshëm, keqpërdorimi i donacioneve me pasojë humbjen e besimit të donatorëve potencial, çdo ditë e më tepër orienton të sëmurët jashtë vendit dhe i përballë qytetarët pa të ardhura të mjaftueshme me rreziqe të rënda.
Mosrritja e buxhetit vijon të shoqërohet edhe me rritjen e patologjive, ku krahas numrit të njëjtë të sëmundjeve ngjitëse (100.000 raste te raportuara në vit) që flet për kushte tê rënda socio-ekonomike, higjienike, cilësinë e ujit të pijshëm, mungesën e kanalizimeve, menaxhimin e dobët të mbeturinave, viteve të fundit shënohet rritje e theksuar e sëmundjeve kronike jo ngjitëse. Ku rol të rëndësishëm luan aerondotja, mungesa e kontrollit të cilësisë së ushqimit dhe monitorimit të importit ku çdo ditë në tregun tonë hyjnë produkte ushqimore me cilësi të dyshimtë. Rritje të theksuar ka dhe grupi i sëmundjeve malinje por mosfunksionalizimi adekuat i Sistemit informativ dhe regjistrit të kancerit na privon nga informacioni i saktë. Ndërsa sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes vijojnë të zënë vendin e parë me 27.4% të rasteve.
Nga ana tjetër, – Mulhaxha-Kollçaku tha po ashtu se, – 90% e profesionistëve punojnë në kushte të vështira, gjë që ka qenë faktor që në tre vitet e fundit mbi 400 profesionistë nga fusha e mjekësisë ta braktisin vendin.
Deputetja Besa Baftiu vuri theksin tek mungesa e sistemit të sigurimeve shëndetësore publike si shenjë e kësaj gjendje të rëndë sa i takon shëndetit publik. Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka sigurime shëndetësore publike si pasojë e mungesës së përpjekjeve serioze nga qeveritë e deritashme. Baftiu tha se vendimi qeveritar për mbledhjen e premiumeve që u anulua nga qeveria në fillim të këtij viti nga presioni publik ishte po ashtu abuziv.
“Grupi parlamentar ynë në seancën e 14 shkurtit të këtij viti thirri në interpelancë Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën, lidhur me përgjegjësinë për ligjin mbi sigurimet shëndetësore dhe nga kjo interpelancë, me dakordimin e grupeve të tjera parlamentare u miratua rezoluta që obligon qeverinë ndër të tjera në plotësimin paraprak të kushteve para se të vijohet me mbledhjen e premiumeve. Këto kushtet lidhen në thelb me funksionalizimin dhe shtrirjen e plotë të Sistemit Informativ Shëndetësor me plan dhe kalendar publik si dhe hartimin e institucionalizimin e protokollove mjekësore pa të cilat nuk mund të ketë shërbim serioz e të përgjegjshëm karshi mbrojtjes së jetës dhe shëndetit publik në përgjithësi.