Lëvizja Vetëvendosje mbajti konfërencë për media, ku Nënkryetari Dardan Sejdiu, tregoi për daljen e qytetarëve në zgjedhje nëpër komunat ku garon Lëvizja.
Ai tha se dalja deri në orën 11:00 është me e ulët sesa në raundin e parë, me ç’rast ftoi qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të dalin për të votuar sa më shumë. Më tej ai shtoi se sot me votë mundësohet progresi dhe tregohet se cili është lloji i qeverisjes që duam.
“Ne garojmë ne balotazh në Prishtinë, në Gjilan, në Prizren, në Kaqanik, në Kamenicë dhe në Podujevë. Dalja deri në këtë kohë është përgjithësisht më e ulët se sa në raundin e parë. Ftojmë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Të shfrytëzojnë mundësinë përmes së cilës vendosin për komunën e tyre për 4 vitet e ardhshme. Me votë të ecim përpara. Me votë të kemi progres. Me votë të tregojmë se cili është lloji i qeverisjes që e duam në këto qytete. Të sigurohemi që qeverisja në Komuna të jetë sa më përfaqësuese dhe sa më e përafërt me kërkesat e qytetarëve”, tha Sejdiu.
Sejdiu po ashtu potencoi se deri në orën 11:00 nuk ka pasur ndonjë parregullësi që vlen për t’u theksuar.