Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Saranda Bogujevci në një konferencë për media folën rreth dy nismave të PDK-së në lidhje me krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.
Sami Kurteshi tha se kjo PDK që votoi kundër njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale dhe që votoi për Gjykatën Speciale, tani po provon kinse të bëjë diçka karshi krimeve të Serbisë. Sipas tij, janë po këta njerëz që kanë mohuar luftën çlirimtare përmes kushtetutës, që nuk i kanë përfshirë në dialog krimet e luftës, që kanë refuzuar të krijojnë një gjykatë për krime të luftës në Kosovë dhe që kanë penguar e më pas vulosur shuarjen e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës.
“Janë po këta persona, veçanërisht Abelard Tahiri, që në rolin e Ministrit të Drejtësisë edhe sot bën përpjekje për të penguar integrimin e “Gjykimit në mungesë” për kriminelët e luftës në Kosovë”, tha Kurteshi në fjalën e tij, duke përmendur edhe mosdokumentimin e rasteve.
“Për 20 vite me radhë, pushtetarët e këtij vendi kanë mohuar krimet e Serbisë me mosveprimin e tyre në drejtim të dokumentimit e gjykimit të tyre”, tha deputetja Saranda Bogujevci në fjalën e saj. Përse të kalojnë 20 vite që një nismë ligjore e tillë të vij në kuvend, kur dihet se Serbia ua ka mohuar shqiptarëve të drejtat elementare për dekada me radhë?
Duke theksuar mosdokumentimin e krimeve të luftës dhe mungesën e mekanizmave shtetëror për përkrahjen e dëshmiratëve si vetëmohim, Bogujevci tha se, “Mosndërtimi dhe mungesa e insistimit ndaj komunitetit ndërkombëtar për mekanizma shtetëror për gjykimin e krimeve të luftës është vetëmohim. Mospërmendja e krimeve të luftës në negociata me Serbinë është vetëmohim. Shuarja e Institutit për mbledhjen e të dhënave për krime lufte është vetëmohim. Kot janë deklaratat se gjoja po kërkojnë llogari nga Serbia kur këta si bartës të institucioneve nuk kanë bërë asgjë në nivel shtetëror për të adresuar krimet e luftës në Kosovë.”
Propozimi i kryesuesit të Kuvendit për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krime ndaj shqiptarëve është absurditet. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të thërritet nga ne për të bërë punët tona. Ne duhet ta kemi vetë gjykatën tonë për krime lufte, të vendosim drejtësi dhe eventualisht të kërkojmë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar.