Aktivisti Egzon Balaj është arrestuar sot derisa po kalonte në kufirin me Republikën e Shqipërisë. Ai është dërguar menjëherë në paraburgim kurse i është thënë se arrestimi i tij është për shkak të pjesëmarrjes në një aksion të vitit 2015, thuhet në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pushteti është duke vazhduar përndjekjen e aktivistëve derisa është krejt i pazotë përballë keqbërësve më të mëdhenj të vendit. Aktivistët e Vetëvendosjes dhe aksionet e organizatës gjithmonë janë në mbrojtje të së mirës publike. Asnjë gjyqi as policie nuk do të duhej t’i pengonte kjo. Sistemi gjyqësor e ka humbur orientimin duke e përndjekur Vetëvendosjen ose duke mbushur burgjet me njerëzit më të përjashtuar dhe të varfër e ndërkohë duke i mbyllur sytë krejtësisht para krimit e korrupsionit”, thuhet në reagimin e kësaj Lëvizjeje.