Duke aluduar në fitore në garën e balotazhit, Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, ka bërë të ditur se kandidati i tyre për kryetar komune, Sami Kurteshi ka qëndruar sot në lagjen “Arbëria”, ku, siç shprehen ata, kjo lagje e ka mirëpritur kryetarin e ardhshëm të Gjilanit.
Sami Kurteshi, kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, i Lëvizjes Vetëvendosje, sot ka ecur nëpër lagjen “Arbëria”, ku ka rastisur të takojë banorë të shumtë të kësaj lagjeje.
I shoqëruar nga shefi i nënshtabit të lagjes Ramiz Hajdari dhe anëtarë të strukturës së Vetëvendosjes, Kurteshi ka bashkëbiseduar me banorë, të cilët kanë shprehur kërkesat dhe nevojat e tyre.
“Këta banorë, janë shprehur të indinjuar nga kryetari në ikje, për të cilin kanë thënë se nuk ka investuar pothuajse asgjë në “Arbëri”, ndërsa nga kryetari i ardhshëm Sami Kurteshi, kanë kërkuar që të plotësohen kërkesat themelore që si lagje i kanë”, thuhet në komunikatë lëshuar nga Zyra për informim e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan.
Këtë e ka premtuar vet kryetari i ardhshëm Kurteshi, i cili ka thënë se me ardhjen e Lëvizjes, qytetarët e Gjilanit do të jenë të barabartë në plotësimin e kushteve dhe nevojave të tyre.