Aida Dërguti, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, është një prej përfaqësuesve të delegacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili po zhvillon këto ditë punimet në Strasburg.
Nëpërmjet deputetes Dërguti, Lëvizja Vetëvendosje ka aplikuar për t’u bërë pjesë e grupacionit të partive social-demokrate të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ky grupacion njihet me emrin “Grupi Socialist” i Këshillit të Evropës, dhe në të bëjnë pjesë të gjitha partitë evropiane të qendrës së majtë të spektrit politik.
Aplikimi i Lëvizjes Vetëvendosje është miratuar zyrtarisht ditën e djeshme nga Grupi Socialist, ku sot e tutje Aida Dërguti merr pjesë si anetare.
Është hera e pare që një përfaqësues i Kosovës bëhet anëtar i këtij grupimi, dhe deputetja Dërguti synon që ta shfrytëzojë maksimalisht këtë mundësi për të çuar përpara interesat e shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar, si dhe vlerat e solidaritetit dhe luftën kundër pabarazisë.