Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Gjilanit, Sami Kurteshi, bashkë edhe me Mentor Mihovcin nga kjo Lëvizje, kanë shpalosur përgjatë një konference me gazetarë, zotimin e tyre për Transportin Publik të Standaretizuar.
Nga ana e tyre në këtë konferencë është thënë:
Mobiliteti urban është hap i madh drejt zhvillimit. Plani i Lëvizjes për rregullimin dhe standardizimin e transportit publik në komunë dhe trafiku urban në qytet do t’i lidhë 95% të banorëve dhe vendbanimeve të komunës së Gjilanit me qytetin, si dhe do të shërbejë edhe për transport midis lagjeve të qytetit dhe qendrës.
Transporti publik do të ulë koston si dhe kohën e udhëtimit për qytetarët e Komunës sonë, do ta bëjë lëvizjen më të sigurtë, më të parashikueshme dhe do të shkarkojë qytetin nga kaosi në trafik. Transporti publik do të jetë i përballueshëm për të gjitha kategoritë dhe shtresat shoqërore, ndërsa për personat me gjendje të rëndë sociale, për fëmijët deri në moshën 12 vjeç, për pensionistët dhe për personat me aftësi të kufizuara do të jetë falas.
Shërbimi i transportit publik do të jetë i integruar dhe do të ofrohet nga një kompani publike por edhe nga kompani private në partneritet me Komunën.
Autobusët do të kenë orare fikse dhe standarde evropiane. Kostoja e një autobusi do të jetë 230.000 euro, me gjithë tatimet dhe shërbimet. Një linjë do t’i ketë 3 autobusë. Kostoja totale: 4.830.000 euro.
Sponsorizuar nga Vetëvendosje.