Janë bërë 181 ditë që kur aktivisti Astrit Dehari vdiq në rrethana të pasqaruara në Burgun e Prizrenit, ku po mbahej padrejtësisht dhe pa asnjë provë. Tash e 6 muaj askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë krim, vdekjen e tij në duart e shtetit.
Për këtë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje realizuan sot një aksion simbolik. Në këtë rast janë shkelur standardet ndërkombëtare si të trajtimit korrekt në paraburgim po ashtu edhe të gjykimit të drejtë.
Duke qenë se një ndër përgjegjësit kryesor në lidhje me këtë rast është Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, aktivistët shkruan në muret e ministisë që drejtohet nga ajo 181 vija që simbolizojnë numrin e ditëve nga vdekja e aktivistit Dehari. Ata po ashtu shkruan “Drejtësi për Astritin” në muret e ministrisë dhe në veturat zyrtare që ndodheshin në oborrin e kësaj ministrie, thonë në Vetëvendosje.
Deputeti Glauk Konjufca në fjalën e tij para aktivistëve pjesëmarrës në këtë aksion, tha se janë tre segmente që e kanë çuar Astritin në vdekje.
“Është pushteti dhe politika që i ka përgjegjës drejtpërdrejt Kryeministrin dhe Presidentin. Është gjyqësia që i ka gjyqtarë Vehbi Kashtanjevën dhe Abdurrahim Islamin. Është policia në krye me Shpend Maxhunin, bashkë me Luan Kekën dhe Fatos Makollin, që e kanë konstruktuar rastin për ta akuzuar Vetëvendosje për terrorizëm. E në vend që policia dhe gjyqësia të merren me gjetjen e atyre që janë përgjegjës për vdekjen e Astritit, deri tash askush nuk ka dhënë llogari për vdekjen e një aktivisti të pafajshëm në burg”, tha Konjufca.
Astriti është mbajtur 68 ditë në burg pa u marrë në pyetje, kurse pas vdekjes së tij tha se ka pasur mobilizim të gjyqësisë, policisë dhe poltikës për ta mbajtur këtë rast të pazbuluar.Astriti ishte burgosur bashkë me 5 aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje më 29 gusht përmes një procesi të montuar politik, të cilët akuzoheshin për sulmin në ndërtesën e Kuvendit që kishte ndodhur në gusht të vitit 2016. Katër prej këtyre aktivistëve vazhdojnë të mbahen në arrest shtëpiak ndonëse Prokuroria nuk ka prezantuar asnjë provë të vetme për akuzat që iu ka mveshur. As forenzika, as gjurmët e gishtërinjëve, as analizat e ADN-së, as dëshmitë e shumta fotografike për vendndodhjen nuk i lidh këta aktivistë me sulmin në Kuvend.
Para vdekjes së tij, kryeparlamentari Kadri Veseli kishte kërcënuar deputetetët tanë duke ua përmendur vetëvrasjen. Pas vdekjes së tij, pak orë më pas, Komandanti i Policisë për Prizren, Nexhmi Krasniqi, pati deklaruar se vdekja është shkaktuar nga përdorimi i mbidozuar i medikamenteve e dy ditë më pas, autopsia e dëshmon që vdekja ka ardhur si rezultat i ngulfatjes, teksa edhe analizat e gjakut e dëshmojnë se nuk ka pasur fare përdorim të medikamenteve. Kurse, menjëherë pas publikimit të raportit zyrtar të autopsisë, prokurori i rastit Sylë Hoxha, nxjerrë përfundimin se Astriti ka bërë vetëvrasje, duke falsifikuar atë që thuhet në raportin zyrtar, ku nuk konstatohet një gjë e tillë.
Të gjitha këto, më pas edhe rrjedhja e provave, si dhe duke pasur parasysh se Sylë Hoxha ishte ndër akterët e aferës “Pronto”, i cili së fundi edhe u promovua në Prokurorinë Speciale, flasin për një proces të dyshimtë, për të cilin u pengua hetimi i mirëfilltë. E sidomos, pasi që autopsia e ekspertëve të mjekësisë ligjore të angazhuar nga familja, me një përvojë të theksuar, ka mospërputhje të mëdha me raportin e autopsisë nga mjeko-ligjorët e shtetit.
Së voni, edhe dëshmitari kryesor në rastin e Astritit, Naser Makolli, i cili ishte i fundit që e kishte parë Astritin para se të dilte në shëtitje dhe i pari që e gjeti në dhomë në ditën e vdekjes, ka vdekur në Burgun e Lipjanit në rrethana po ashtu të dyshmita. Ndërkohë, pas miratimit të Rezolutës së Kuvendit, kërkesa nga familja për hetim të pavarur nga Instituti zviceran është dorëzuar tash e dy muaj, e për këtë përgjigja vazhdimisht është zvarritur.
Vetëm pas një kohe të gjatë, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, i kthen përgjigje avoktatit të familjes duke i kërkuar që kërkesën ta drejtoj te kryeministri.
I tërë procesi i hetimeve është trajtuar në atë mënyrë që të fshihet e vërteta. Gjatë tërë procesit, edhe prokuroria, edhe policia, kanë qenë të angazhuara kryekëput në orientimin e opinionit publik karshi rastit e jo në zbardhjen e tij. Organet shtetërore kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt në këtë rast.
Edhe në vdekjen si të tillë në burg, ku Astritit të privuar padrejtësisht nga liria iu mohua kriminalisht siguria. Edhe në pengimin e hetimit të pavarur që po e pengon zbardhjen e rastit. Fshehja e krimit është krim. Pengimi i drejtësisë është krim. Përgjegjësit për këtë janë: Dhurata Hoxha, Skender Hyseni, Sylë Hoxha, Nexhmi Krasniqi, Vehbi Kashtanjeva e Abdurrahim Islami.
Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Astritin, thonë në Vetëvendosje.