Ka përfunduar mbledhja e dy qeverive shqiptare e mbajtur në qytetin e Prizrenit ku si rezultat kishin nënshkrimin e deklaratave për partneritet strategjik Kosovë – Shqipëri si dhe formimin e Fondit për Luginën.
Kryeministrat shqiptar Rama e Thaçi gjatë konferencës për shtyp deklaruan se përveç shumës së ndarë për maternitetin në Preshevë, është themeluar edhe fondi, siç u shpreh kryeministri Thaçi, “humanitar”.
I pyetur disa herë nga gazetarët për vlerën e ndarë për të ndihmuar shqiptarët e Luginës, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se kjo vlerë do të jetë 100 mijë euro i dedikuar për pajisjen me aparaturën e nevojshme të maternitetit në Preshevë, të cilën proporcionalisht do ta financojnë të dy qeveritë, transmeton Titulli.
Fondi i themeluar për Luginën, sipas Ramës do të jetë i hapur, dhe përveç qeverive që do të derdhin mjete, në te mund të kontribuojnë edhe bizneset dhe institucione të ndryshme private.
Qytetarët e Luginës pritën më shumë nga qeveritë shqiptare sidomos pas bujës së madhe të krijuar rreth themelimit të Fondit, i cili si fillim mbetet vetes si hapje e një llogarie bankare me zero euro në te.
Ndërsa ndihmën për maternitetin, kryeministri Rama e kishte premtuar gjatë kohës që vizitoi Preshevën dhe me këtë ai po përmbush një premtim të dhënë ndaj qytetarëve preshevar.
Dy komunat tjera, Bujanoci e Medvegja, nga ky takim i qeverive konkretisht nuk kanë arritur të fitojnë asgjë, ndërsa pikërisht këto dy komuna janë më të rrezikuara nga mungesa e investimeve që si pasojë kanë shpërnguljen e shqiptarëve dhe ndryshimin e balancave etnike në favor të serbëve