Vështrim psikoanalitik (poezi të autores Alketë Spahiu nga vëllimi poetik “Muza jam unë”)
Linditë RAMUSHI
(2LONLINE) – Për psikoanalistët dhe psikoanalitikët poezia paraqitet si nevojë për shpërthim. Madje Frojd-i ( themeltar i psikoanalizës) e quan artin si mekanizëm mbrojtës që e përdor njeriu. Poezinë e paraqet si nevojë e transferimit të ngacmimeve dhe të disa nevojave të cilat mund të jenë të papranueshme për shoqërinë ndonjëherë, por edhe nga vet vetja jonë. Sipas kësaj qasje, poezia shihet si çlirim i mbushjeve shpirtërore nga përvoja të ndryshme. Akumulim i energjisë, aktiviteteve të ndryshme njerëzore gjegjësisht poetëve, ose krijuesve nga arte të ndryshme. Në poezinë “Nëse do të vish” , autorja e paraqet dëshirën e saj për të plotësuar një mungesë, çfarëdo qoftë ajo. Një lutje, që duket e fshehur në shikim të parë. Në këtë poezi mund të vihen re dy komponentë të qarta: mbrojtja e egos, kur i drejtohet protagonistit “Nëse do të vish”, njëkohësisht ajo racionalizon dëshirën e saj por edhe shpreh mohim. sepse i tregon protagonistit si do të mund të vij por i vë dhe kushte se si duhet të vij. Autorja në këtë poezi e përdor mohimin si mbrojtje të egos së saj, për të mos u ndjerë në ankth për faktin se nuk do që të jetë në pozitë të pritjes.
Egoja njerëzore është e rrezikuar gjithmonë nga ngacmimet e jashtme, apo thënë ndryshe është në konflikt të vazhdueshëm me atë që është dhe ato që duam. Ndaj ilustrim për këtë është edhe kjo poezi e autores Alketë Spahiu. “Mbishkrime në akull”, poezi e cila autorja paraqitet duke e treguar forcën e saj për të vendosur se çfarë dhe kush ka rëndësi për të. Është një luftë me egon e saj dhe format e rregullave që ajo i ka vënë. “Mos ma merr heshtjen, ajo më takon mua”. Janë të përziera dy ndjenja; ajo e dashurisë dhe e ndëshkimit. Dashuria paraqitet e lartësuar dhe e ruajtur me kujdes, mllefi, që duket të shpërthehet me formë ndëshkuese, kur thotë: “do të jesh kryetar i Prioratit të Sionit në botën time zemroide. Autorja përcakton fatin e protagonistit që mund ta ketë tek ajo.
“Vera në Gilan arratiset pa mua” , thot Alketa! Ikja, si veprim i pa dëshiruar në këtë rast, e ndan jetën mes mallit që ka për vendlindjen dhe faktit që duhet ikur. Në këto raste krijohet konflikt mes vetes dhe asaj që na plasohet. Pastaj dalin ngrirjet emocionale për gjërat që duhet bërë e për ato që duhet të lër. Alketa na tregon këtu, se për të qen larg ndodh të të ik vera që s’e shohim, vjen dhe vjeshta që atë e përcjell me dhimbje, njëkohësisht Alketa ikjen e bën me kujtesën e freskët për vendin e saj. Tri gjëra ka theksuar në këtë poezi; malli, dashuria dhe kujtimet janë të bashkëlidhura si pjesë e mendimeve të saj kur ajo është larg. /2lonline/