/Zymber Beshtica: “ËNDËRR E GJATË” (Poezi);
SHB “SOGJETIME”, Gjilan , 2020/
“Miku im
Për orientim të mirëfilltë drejt ardhmërisë
Mbështetu te jehona e thirrjeve të zemrës
Dëgjo ndjesitë e saj
Dhe ti do t`i kesh të hapura portat e agimeve ”; Zymber Beshtica “Këshillë”; f. 124
Nga: Mehmetali Rexhepi:
LOZA E NËNDHESHME
Vëllimi poetik që kemi në duar i autorit Zymber Beshtica “Ëndërr e gjatë”, përmban shtatëdhjetë e gjashtë poezi ose njësi poetike gjatësish e tkurrjesh të ndryshme sasiore, të prirë nga dhjetë emërtime ciklesh. Secili prej cikleve sugjeron motive dhe atmosferë kahesh relativisht përcaktuese. Ne do të shkëpusim disa nga përbërësit e këtyre vargjeve përmes sugjerimeve të cikleve. Hyrjes i prin cikli “Fragmente baladash”, mandej vijojnë “Kushtrimi i Ademit”; “Nëpër ngrica e valë”; “Zonja dhe zotërinj”; “Në orën dymbëdhjetë e dyzet e katër”; “Haropi”; “Duke kërkuar fillin”; “Vragë e plagë”; “Ylli i tyre-dritë e rrugës tonë” dhe “Vetëm ëndërr.”
Gjatë leximit të librit “Ëndërr e gjatë”, nga tërësia e faqeve të tij nxjerrim konstatimin parësor; sepse pamjet, kënd-shikimet dhe idetë poetike, nga cilado anë e jetës, autori i pasqyron dhe shpreh drejtpërsëdrejti, pa thellime, tërthore e shumësi reflektimesh. Poetika bashkëkohore priret për tumirje të konstatimit të diskursit të dytë; ajo ndjek prirjen për figurën poetike dhe paradokset reflektues.
Ideja artistike e këtyre poezive është ndërtuar asisoj, që lexuesin të mos e shpie në labirinte simbolike, metaforike ose në lidhjet e ndërdymes me botën fantastike, me enigmat e jetës e të universit. Poeti u përcaktua t`i forcojë lidhjet shpirtërore jetike me rrënjët e truallit, në përpjekjet për t`i mbajtur në këmbë legjendat e zanafillës… Motivet e poezisë së tij rikthehen në lashtësi për t`i zbërthyer “apokrifet”, ose si thotë autori, “Kripto grafitë e gjuhës së lozes sonë…”
Rikthimi i autorit tek ato gjurmë të nëndheshme, është shtytje nga mohuesit e autoktonisë, të lashtësisë së etnisë, të vijimësisë ilire-arbërore-shqiptare, e cila u sprovua nëpër Kalvare të tmerrshme të pashkruara… Duke shpaluar varg për varg, faqe për faqe përmes tekstit poetik, që përshkueshëm i afrohet diskursit të dëshmisë, herë-herë ky varg-thurësh, vargun ia nënshtron iluminizmit tonë të vonuar për caqe të vetëdijes.
Zymber Beshtica vargut të tij i kërkon sy-çelësi, për t`ia gjetur shtegun e mbyllur lirisë ndanë bllokadave… Ai vijëzon vizionin e tij edhe në errësimet e përballjes me sprova, në mënyrën që pasoja të rezultojë fatlume! Përvojën e historisë së rrëfyer për tradhtinë poeti do t`ua shpijë brezave…
Në këtë vëllim poezish i hasim të përsëritur në trajtën e thirrmorit dhe të apostrofës kujtesës për harresën e tradhtisë?! Nxitimthi na shfaqet pyetja: – A do të na falej harresa e dhuratës së “Kalit të Trojës?!…” Dhuratat e tradhtisë do të na vijnë, por tash krejtësisht të sofistikuara… Vargjet e poetit tashmë kishin shijuar gjellët e hidhura të jetës, ndaj i thërrasin ndërgjegjes t`i bëjë sytë katër, të mprehtë për leximin e konceptimit të keqes nën shtresën e hollë të mjaltës…
Një mënyrë e këtillë e thurjes së tekstit letrar të kësaj poezie, i jep shkas pyetjes për diskursin tonë: – Pse ky lloj vargëzimi i shmanget efekteve të stilizimit dhe të eksperimentimeve, karakterizuese për periudhën e kahes që ka marr poezia post-moderne? Autori ynë nuk është pa përvojën e bukur-shkruesit. Si duket, ai as me këtë rast, nuk do t`i shmanget lëvrimit të poetikës, me shenja të ndjeshme të vëllimit paraprak “Rrjedha”; përderisa këtu zotëron thënia e idesë, ndërsa më pak thëniet e figurave.
Zymber Beshtica, duke qenë ligjërues letërsie, ngërthen kulturë për artin e poezisë, të stileve e të rrjedhave bashkëkohore. Pikërisht për kulturën e tij letrare, nga ky poet priteshin depërtime edhe më në thellësi se kaq të vargut në bukurinë e fjalës… Ai zgjodhi mënyrën dhe formën e këtillë të komunikimit artistik me lexuesit e vargjeve. Nuk shtroi dy-mendje për t`iu qasur ndryshe artit të shkrimit, përpos kështu, troç.
Këtë radhë, poeti Beshtica shprehjen artistike e reduktoi në maksimumin e mundshëm të qartësisë, herë-herë deri në shkallën e diskursit shpjegues, edhe me shtojca deklarative të aty-këtushme. Përse?
Në këtë pikëpamje nuhatja jonë mund të mos jetë tërësisht e saktë, mirëpo arrin në pikën e së mundshmes, të dukshmes e të prekshmes. Pohimi doli prej kursit iluminist ngase: Repetitio mather studiorum est. (Përsëritja është nëna e të mësuarit). Megjithatë, të shohim çka duhet të përsërisim e çfarë të mos përsërisim tash e tutje?…
VARTËSIA JETIKE E PËRBASHKIMIT
Beshtica parapëlqen të sjellë tri kohët e temës ekzistenciale të përkatësisë së vet: të ndodhurën, faktin e mohuar, sprovat, tragjedinë e gjyshërve, rropatjet e brezave pararendës për bukën dhe tokën, duke shtrirë lidhjen e fatit të tyre me të tashmen, që e tashmja të lëshojë rrënjë të pathara për të ardhmen. Ekzistenca e etnisë së autorit shtjellohet në vargje dozash emocionale, pohimesh, mohimesh, vetëmohimesh, kahesh pa pikëpyetje, me pikëpyetje, me dilema ekzistenciale… E gjymtuar dje, e gjymtuar sot dhe me gjasa për gjymtime edhe në të nesërmen, kjo është dilema jetike e fatit të pararendësve dhe e vijimësisë… Poeti vargun e ngjyen nëpër të gjitha gjendjet shpirtërore të dhimbjes, të dëshpërimit, por edhe të durimit, të qëndresës, të mos-humbjes së shpresës edhe atëbotë kur nuk dukej drita në fundin e tunelit!
Tashti autori është në shkallën e lartë të pjekurisë, i fërguar përmes sprovave të historisë e të jetës, andaj nga historia dhe jeta për lexuesit nxori porosi poetike. Këtu shohim se si vargjet nuk mëtojnë të futen në shtjellime, për të stërholluar e dendësuar stilin e shprehjes figurative. Kursi i shtjellimit nëpërmjet thënies së drejtpërdrejtë dëshmon se vargjeve të tij, Zymber Beshtica nuk ua vuri frerët e rimës, as ngjyrosje kozmetike, as tingëllimë muzikale dhe masë të përcaktuar rrokjesh. Ai vargut i lë rrjedh krejtësisht të lirë.
Poezitë e Beshticës i përshkojnë motive të mbushura me brenga, dukurinë e pashuar të tradhtisë, kurthet e viktimizimet historike të shqiptarëve, krimet e pandëshkuara serbe, dëbimet, paqen jetë-ngrënëse pafundësisht e përtrollitur dhe sindroma e përhershme e trazimit:
“duhet sogjetuar
me sytë katër
edhe anash
edhe prapa
edhe para…”
Ndërtimi anaforik me lidhëzën bashkërenditëse shtuese edhe i këtyre vargjeve, kërkon vëmendje për kujdes, sugjeron orën, vendndodhjen e armiqësisë, kahet e lëvizjes në kohë e hapësirë, gjithnjë për ta arritur për-bashkimin, madje atë lloj uniteti si domosdo jetike-ekzistenciale.
Çfarë është uniteti i synuar i këtij poeti? Vargu i Beshticës vë në funksion një shfryrje ndjenjash të mbushura, të tendosura me shqetësime dhe pasiguri; mirëpo, me ndjeshmëri frenuese të urtësisë, sepse kurdo herë, në çdo kthesë historike, gjithnjë duhej pritur gjëmën tjetër?!… Poeti, meqë përjetimet i ka të freskëta, para dhe pas shpine, ai përfytyron kanibalët dhe kanibalizmin në stilin “Hanibal ante portas!” Në përfytyrimet e tij të përligjura, poetit asnjë herë nuk i doli jashtë përdorimit kultivimi i motivit për farën e keqe të përçarjes mes shqiptarëve! Ky ishte dhe mbeti paradoksi kombëtar i etnisë tij!
Shohim gjithnjë se autorët shqiptarë të lidhur me fatin e tyre etnik, në artin e shkrimit, nuk iu shmangen dot kategorive estetike të së keqes dhe të shëmtuarës, sepse thellë në shpirt e në jetë ua përtrolliti realiteti i mos-harmonisë tyre etike, etnike e shtet-ndërtuese… Fatkeqësisht te një shtresim i konsiderueshëm i etnisë së poetit është më e theksuar prirja shtet-rrënuese?!… Megjithatë, në kontekstin e tillë jetësor dhe artistik, vizionit të poetikës ekzistenciale i jep krah shpresë-ndjellja, se:
“Trungu i shqipes vazhdimisht filizon…”
Mbijetesa e sprovimeve të rënda, të pamëshirshme e të pështira, poetit Beshtica ia forcuan filozofinë e përkufizimit, se i vetmi faktor i përballjes me pushtimet është mosnënshtrimi:
“Zmbrapsja s`është zgjidhje
Zjarri nuk shuhet pa zjarr.”
Shtytjet e iluminizmit poetik në disa nga poezitë e autorit Beshtica, shfaqen me përbërës të brumosjes së karakterit të fortë: devotshmëri, pathyeshmëri para çdo joshjeje komprometuese të parimeve të shenjta, mbi të cilat ngrihet kështjella e identitetit kombëtar, dinjiteti qytetar dhe urban i etnisë.
Poezia e librit “Ëndërr e gjatë”, spikatë shkaqet e depërtimit të lëkundjeve etike, edhe gjithfarë tjerash në rrethanat e një shoqërie anarkike. Pikërisht pse e lejojnë dhe durojmë, madje akëcilët miq tanë janë hisedarë të strukturave të korruptuara të rrethanës shekullore shtet-drejtuese për brezat!… Beshtica lë të kuptohet se nuk është pajtuar me rrjedhat e mbrapshta të jetës institucionale, ndaj edhe përmes vargut shfaq këndvështrime kritike, duke mos iu shmangur zhgënjimit për “lulëzimin” e mendësisë fisnore, krahinore, klanore; shtresimeve të vetëkënaqura dhe indiferente, shprehisë nam-keqe të zhvatjes e të makutërisë së institucioneve, karrierizmit rrënues, mosnjohja e të drejtave të njeriut e të qytetarit… Vargu i një sedre të ndjeshme shpirtërore përshkohet me atmosferën e pezmit kritik dhe ironik.
Personazheve të “Naçertanija-as” së dikurshme dhe të përtashme të Serbisë, të kamufluar e të modifikuar, iu bëhet aleat “Balashi i Orës së Ujkut.” Lajthitja e sogjetarit hyri në shpirtin e poetit:
“Ditë të bardha
e net pa haraçe
ëndërruam” (Lajthitje)
Vjershëtori i dha shtytje vargut për dëftimin dhe shpërfaqjen e vizionit, si të kapërcehet trajta e të keqes te e keqja e institucionalizuar prej nesh? Ai e shndërroi vargun në masë termometri të klimës, të atmosferës e të rrethanës… Vargjet i shërbejnë vetëdijesimit të shkrimit për piketime etike dhe estetike:
“Balashi i Orës së Zezë
Mjeshtër dhe moderator
Edhe në Orën e Unmikut
Kurdisi Orën e Ujkut
Dhe na i humbi pëllumbat”
Beshtica, duke qenë edukator brezash, nuk mundi të rrinte i qetë në hijen e indiferencës; andaj pse mos t`i jepte poezisë trajtën e një shigjete depërtuese, për instalimin e dorës së zgjatur të Serbisë përmes strukturave të UNMIK-ut në Dardaninë e djegur, të përdhunuar dhe të shkretuar?!
Autori i librit “Ëndërr e gjatë” i jep të drejtë kursit se arti ndonjëherë i largohet çerdhes së vet burimore dhe, sikurse një shqiponjë epike e lyp ushqimin ekzistencial, duke fluturuar dhe aty, në ato zyre pedantësh, të cilët prapa kollareve këmishësh të bardha fshihnin mynxyrat e tyre të zeza, helmin e gjarpinjve për çlirimtarët tanë të përkorë!
PERSONIFIKIMET MITOLOGJIKE
Figurat e personifikimit estetik të dhunës, të ligësisë, të bukurisë, të madhërishmes, të trimërisë e heroizmave, të servilëve e të dinjitozëve në poezinë e Beshticës shtrohen dhe identifikohen, modifikohen në vazhdimësinë e ngjarjeve deri në bashkëkohësi. Lidhshmëria mitologjike antike me të sotmen, i vesh poezisë karakter gjithë-kohor. Te personazhet e sotme barten bëma dhe karaktere, aq sa mund të spikaten nëpërmjet vargjesh, sikurse tek Zeusi, Cerberët, Qeni i Hadit, Sinoni, Laokoonti, Eneu, Helena, Paridi, zotërinjtë e Olimpit, Trojanët, ploja e Trojës; simbolet e gjithë-kohës sikurse Orfeu, Haropi, krye-cerberët e Singedonit “kurthangritës”, “tebdilët” me lëkurë qengji…
Identifikimi dhe shtrirja tematike e kulturës mitologjike, me tipare të jashtme e të brendshme të personazheve të sotme; ngjashmëritë dhe të veçantat e tyre, shtojnë përmasën gjithëpërfshirëse estetike, historike, vazhdën etike dhe modelimin e poezisë së këtij poeti.
Vëllimi i poezive “Ëndërr e gjatë”, botën e ngërthesave të sotmes poetike e lidh dhe modelon përmes Antikës, Antikën me Mesjetën, Mesjeta me Rilindjen, Rilindja Shqiptare me bashkëkohësinë. Modelet e antikitetit kanë evoluar, mirëpo ambiciet, qëllimet, dëshirat, synimet, mënyrat e përmbushjes tyre, në esencë janë po ato. Zeusi, Neroni, Kaini, Helena, Jagua, do të shartohen në shpirtra Zeusësh, Neronësh, Kainësh, Helenash, Jagosh modernë…
Beshtica në poezinë “Ëndërr e gjatë”, i qaset karakterit e njeriut të mjedisit urban, të atmosferës së përjetuar me gjithfarë erërash e shijesh, të brumosjes me dinakëri e ligësi, aq sa vihet në dyshim vlera e mirëfilltë e njerëzores… Vargjet që shpërfaqin më dendur lakminë për hierarki të pushtetit, afishojnë karikatura tiparesh të servilit e servilizmit. Ky lloj vargjesh paraqet gjetje të përshtatshme për kategori të tilla psikike e gjenetike:
“Zotëri
Derisa gënjeshtra shpallet e vërtetë dhe servilizmi identitet
Derisa nënshtrimi çmohet dinjitet e zënia e rrugëve demokraci…”
Vargu pasues pas këtij nuk ia vlente ta qartësonte situatën, ajo i përket qasjes zbërthyese të lexuesit…
ËNDRRA DHE DURIMI
Periudha e amullisë e Lëvizjes sonë Kombëtare-Demokratike, atëbotë kur qëndresa, mosbindja pasive pushtuesve e pushtimit, pushoi të jepte shenja gjallërie… Durimi filloi të kundërmonte sikur peshku i prishur nga koka. Pohimi se gjithçka e ka masën dhe kohën e vet, përkon me mësymjen shekullore të ëndrrës, me mos-përmbushjen e konceptit të saj të ndajfoljes së sasisë “e gjatë…” Ëndrra donim të ishte e shkurtë, sikurse janë ëndrrat, por…? Pra, jeta jonë ishte një“Ëndërr e gjatë.” Ishim në ëndërr dhe duhej të dilnim nga ëndrra në zhgjëndërr… Më tej subjektit poetik i shteret kroi i “filozofisë së durimit”:
“Durimit i është thyer zemra
i është turbulluar koka
i janë errur sytë
ka mbërri në stom të Drinit”
Tashmë dihet se nëpërmjet një qasjeje tjetër për bërjen e historisë së fitimtarëve, mund të kapej fati i nëpërkëmbur i tokës së lirisë… Personazhet me bëma historike iu bashkohen “Çetës së Profetëve”, mandej identifikues të rinj:
“Princi është kthyer nga Kruja
me bekimin e Gjergjit e t`Plakut të Vlorës
udhëzimet i ka marrë në Prekaz
për kapërcimin e Rubikonit 1244”
Poezia e vëllimit “Ëndërr e gjatë”, modelet e Antikës dhe figurat bosht, rreth të cilëve mbështillen fijet e ngjarjeve të bujshme, si Penelopa e Odisesë, djemtë e Laokoontit, Ligji i Hamurabit e tjerë; sikur në kahet e të mirës, ashtu dhe në kahen e së keqes, ngrehin arkitekturën figurative të krahasimit. Shprehjes poetike i hapet hapësirë për shtegtime e kontraste, gjithandej ku ziejnë hallet e mbarset shpërthimi i pakënaqësisë, përballë shthurjes, tërbimit e çartjes të rendit në shoqëri…
VIRTYTI I SINQERITETIT
Zymber Beshtica vjen me këtë vëllim të gjerë poezish, pas një periudhe relativisht të gjatë të heshtjes. Para këtij publikimi kishte botuar përmbledhjen me poezi të titulluar “Rrjedha.” Vëllimi i parë poetik “Rrjedha”, i dëshmoi disa nga cilësitë e të bërit poezi të Beshticës.
Ky autor pati paraqitje të rralla në letrat e shtyp-shkrimit e të medies informative. Në këto letra të bardha të shkrimit në shqip, poeti nxori copëza të çiltërisë së shpirtit njerëzor, atdhe-dashes. Në jetë dhe në shkrimet letrare, Beshtica kurdoherë mori anën e sinqertë të jetës e të shkrimit.
Me këtë rast solemn: qoftë i uruar përherë autori ynë, Zymber Beshtica për përcaktimet e tij fisnike!