Ish kryeparlamentari, Kadri Veseli, përmes një postimi në facebook, ka kujtuar tragjedinë e 11 shtatorit në ShBA në të cilën afër 3 mijë persona humbën jetën.
Postimi i plotë:
Para 18 vjetësh, më 11 shtator 2001, shtetet paqedashëse me demokraci të lira përjetuan një tragjedi botërore. Mijëra jetë të pafajshme të njerëzve me kombësi të ndryshme u shuan prej sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ishin më të rëndat në historinë e njerëzimit.
Së bashku me rreth 3000 viktimat e pafajshme të mbi 70 kombësive të ndryshme, sot i kujtojmë edhe tre bashkëkombësit tanë që humbën jetën atë ditë: Mon Gjonbalajn, Simon Dedvukajn e Rrok Camajn. Vdekja e tyre tregon se ai sulm na ka prekur të gjithëve dhe se terrorizmi është një e keqe për gjithë njerëzimin, pa dallim kombi, feje e race.
Kosova është rreshtuar bashkë me popujt e lirë, me ShBA-në në krye, në koalicionin global për ta luftuar terrorizmin. Kurse, brenda e jashtë vendit, promovon me shumë përkushtim liritë universale që parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm.