Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takim të përbashkët me Komisionin për Legjislacion dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, për të diskutuar lidhur me projektligjet që lidhen me Agjendën për Reforma Evropiane (ERA).
Kryeparlamentari tha se për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e vendit, agjenda e integrimit evropian është prioritet i cili nuk ndërlidhet vetëm më standardet apo kriteret të cilat mund të jenë të momentin akut, por ka të bëjë me vet perspektivën euro-atlantike.
Ai shtoi se aktualisht në procedurë të shqyrtimit nga ana e Komisionit për Legjislacion janë katër projektligje të proceduara nga Ministria e Drejtësisë, të cilat ndërlidhen me reformat në sistemin e drejtësisë, por që ende nuk janë proceduar në seancë.
Bëhet fjalë për Kodin Penal, Projektligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve, Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe për Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme.
“Kjo reformë në sistemin e drejtësisë dhe integrimet evropiane, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi në momente të caktuara, janë çështje të cilat duhet të na bashkojnë”, theksoi Veseli.
Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Apostolova, nga ana e saj, tha se këto ligje do të duhej miratuar më parë, ndërsa bëri të ditur se në fund të nëntorit pritet të bëhet një vlerësim i miratimit të legjislacionit që lidhet luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se katër ligjet e përmendura janë në procedurë të shqyrtimit në komision, përkatësisht në grupe punuese dhe së shpejti pritet të procedohen tutje.
Duke dhënë sqarime për secilin projektligj veç e veç, Haxhiu tha se duhet të kihet parasysh se komisioni që ajo drejton është mjaft i ngarkuar me punë dhe shqyrtimi i projektligjeve me procedurë të përshpejtuar mund të përcillet me probleme në zbatimin e tyre.
Pas diskutimeve të anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, kryeparlamentari Veseli theksoi se Kuvendi, përkatësisht Komisioni për Legjislacion, merr përgjegjësinë të procedojë këto projektligji gjatë këtij muaji.
“Ideja është shumë e qartë: ne do të lëvizim drejt BE-së, do të përmbushim çdo kriter që ka të bëjë me agjendën e reformave evropiane. Ky ishte edhe zotimi që dhamë në komision. Përkrahja e Zyrës së BE-së është shumë e sinqertë dhe shumë e drejtpërdrejtë”, theksoi pas takimit kryeparlamentari Veseli.