(2L ONLINE) – Disa fshatra të komunës së Vitisë po përballen me vërshime pas reshjeve të shiut që kanë rënë gjatë ditës së djeshme. Momentalisht është vështirësuar qarkullimi përgjatë aksit rrugor Kllokot- Viti, ku niveli i ujit vazhdon të rritet.
Nexhmedin Jakupi drejtor i Shërbimeve Publike, ka bërë të ditur se gjendja momentale në komunën e Vitisë është nën kontroll. Ata kanë ndërhyrë në fshatin Letnicë ku kanë intervenuar për sanimin e pengesave nga shembja e dheut në këtë pjesë.
Ndërkohë në fshatin Radivojc ku mbrëmë ka qenë gjendje alarmante duke vështirësuar qarkullimin e rrugës Ferizaj-Gjilan, situata është normalizuar.
Kurse në fshatin Budrik i cili është lokaliteti që më së shumti përballet me vërshime, momentalisht nuk është i rrezikuar dhe përpos vërshimeve të sipërfaqeve bujqësore, në ekonomitë familjare dhe shtëpi nuk është shënuar ndonjë rast.
Edhe rruga e fshatit Skifteraj që lidhet me magjistralen Ferizaj-Gjilan, është tejet e vështirësuar për qarkullim. Qarkullimi pothuajse është i bllokuar tani për tani i rrugës Pozheran-Viti.
Aktualisht raportohet për vërshime të sipërfaqeve bujqësore ndërsa është evidentuar vetëm një rast i vërshimit të një shtëpie në qytetin e Vitisë. Niveli i ujit në lumin Morava, është rritur dukshëm që po rrezikon për çdo çast banorët e fshatrave që shtrihen përgjatë këtij lumi.
Momentalisht qarkullimi i qytetarëve për gjatë rrugëve Kllokot-Viti dhe Pozheran-Viti vazhdon të jetë i vështirësuar./2L ONLINE/