Shefik SHKODRA
(2LONLINE) – Thonë, “i keshni të keshë”. Injoranti të injoron. I padishmi të qorton. Interesxhia njëherë si mik e pasi ‘ta kalojë lumin’, përgjithmonë të harron…”Horuni” nuk të dëgjon. Gjithnjë një farë krekosje e këtyre tipave si e gjelave të “nemcit”, (e quan dikush një farë të tyre), të imët fizikisht, por grindavecë. Nëse thua se, unë do të qeverisi me popullin, atëherë njerëzit i shohin të metat. Të sugjerojnë me shkrim e me gojë, ti nuk i pranon, shkon me atë tandën, atëherë asgjë nuk është e përbashkët. Dhe këtu është devijimi parë. Duhet të jetë e qartë, cili është kuadri (personi) që ia do të mirën partisë, udhëheqësit, komunës e madje si e çmon gjithë gjendjën e vendit. Në ndonjë komunë ka hy kandidati në fushatë zgjedhore (e kanë fut) si druvari pa sakicë në mal…Shumë qesharake! Dhe për këtë njeriu mendohet, çfarë është menduar dhe çfarë është planifikuar.
Hyrje e re në politikë
Në këto zgjedhe Prishtinën e muarën për ta qeverisur VV pas aq përpjekjesh. Ndërsa, në komunat tjera nuk patën sukses. Prishtinën e mori grupi dhe personi i formuar, por edhe i pa “harxhuar”, natyrisht edhe me programin që dallon prej atyre të partive të tjera. Së paku me një program që do ta quanim më shumë, Program Ndërgjegjeje. Mbetet të shihet. Prishtina vend i urbanizuar në atë mënyrën e veçantë prej botës, qytetit të cilit i mungojnë shumë gjëra. Dhe s’është veç Prishtina në Kosovë. Sigurisht, dikush më shumë ka prish për interesa grupore se sa të mosdijes kudo. Kush është ai që mund ta rregulloj e kush mund t’i plotësoj kërkesat dhe nevojat qytetare?! Megjithatë, unë kam shumë simpati për këta të VV, madje sa për t’u treguar këtyre zotërinjve se, nuk shkohet gjithmonë me atë mënyrën e tyre, që fort e fort nuk kanë qenë të lavdëruar. Nëse, vetëm pesëdhjetë për qind të premtimeve që janë dhënë do të mund të realizoheshin, do të ishte një sadisfksion edhe për simpatizuesit dhe jo veç për anëtarësinë! Edhe në disa komuna të tjera do të fitonte VV, sikur të kishte kandidatë potencialë dhe persona të pjekur e të formuar, të gatshëm për udhëheqje sipas programit që ka ky grupim.
Ndëshkimet e partive të padisiplinuara
Nuk ka rëndësi shumë se kush ka humbur e kush ka fituar. E rëndësishme është vetëdija e qytetarit. Për mua partitë, koalicionet janë të gjitha të nevojshme dhe të dobishme, atëherë kur fitojnë me votën e qytetarit për ta qeverisur shoqërinë. Por, ndonjëra varet kush e drejton, nuk i kënaq as për së afërmi kërkesat dhe qytetarët tashmë janë vetëdijësuar. Kemi thënë edhe ndonjë herë se, asnjëra prej këtyre partive tona nuk ka bërë kurrfarë reforme brenda vetes së tyre. Uzurpimi i të gjitha veprimeve prej një personi me një grup njerëzish, pa ndryshime të pranueshme për të gjithë, çon deri te fraksionet. Dhe kjo është pa, pikërisht në degën e PDK të Gjilanit, për këtë edhe kanë humbur zgjedhjet. Pra, vetë Partia Demokratike në Gjilan i ka humbur zgjedhjet. Vetë kanë punuar natë e ditë që të dështojnë. Me siguri ka pas diçka si shumë burokratike e të mos thuhet, edhe si shumë moniste i ka ardhë era. Ata vetë e dinë më mirë. Dhe është interesant, në momentin kur do të bësh kthesë, që ta bindësh elektoratin se, ky e meriton më mirë se ai tjetri, fundi është Pazar i kryer…P.sh. Qemajl Mustafa i ka humbur zgjedhjet bashkë me partinë e vet. Dhe atë duke i ndihmuar mbrapshtë një pjesë e anëtarësisë, e edhe ata të kryesisë së kësaj partie nga qendra. Nuk arsyetohet askush të “kërleshet” se është i pazëvendësueshëm. Në PDK, dega në Gjilan, moti ka filluar kalbja e “mollës”. Dhe kjo “mollë” është kalbur prej brenda. Kështu ka ndodhur edhe në Viti, por kjo është dëgjuar edhe në kryesinë qendrore etj. Bërlykja e tepërtë e në dëm të të tjerëve, pa e llogaritur se çfarë dëmi u shkakton atyre (qytetarëve), më në fund kushton shtrenjtë. Si ishte ajo anekdota: “Deri në drekë bën kuja për të tjerët, pas dite një më të madhin për veti”. Me këtë mendje dhe me këtë mënyrë nuk mund t’i ikë askush dhe asnjë herë dënimit nga qytetarët.
(De)centralizimi
Një decentralizim (më mirë të thuhet centralizim) dhe veprimi i kryetarëve të komunave, pa kufi, krye në veti, për disa ka qenë shumë shumë këndshëm, e për disa të tjerë shumë i rrezikshëm e i dëmshëm edhe për shoqërinë në tërësi. Individi me grupin e caktuar rreth vetes, kur nuk është sa duhet i pjekur, kur e ndien veten shumë “të lirë”, mundet edhe të keqpërdor sjelljet e qytetarëve. Pra, janë shfaqur qinda herë keqmenagjimet, pikërisht nga kryetari (edhe pse e drejta e tij). Natyrisht, ai duke dashur të bëj një të mirë dikujt, i ka shkaktuar dëm të tjerëve. Psh., zgjedhja e drejtorëve në resorë, por edhe zgjedhja e disa drejtorëve në shkolla, jo veç në bazë partiake, por edhe në baza të tjera private, e që ndonjëri prej tyre s’e ka merituar as të futet në oborrin e shkollës e lë më të qeverisë atë institucion. Është thënë ‘decentralizim’, por si duket ka qenë për disa raste shumë ‘centralizuese’ çështja. Nuk si e qysh. Dua të them, se, ka shumë raste kur është dërguar preferenca nga Prishtina për ndonjë kandidat, jo veç për drejtor, por edhe për punësim kudo, në administratë, në shëndetësi, në arsim jashtë kritereve të konkursit. Dhe këtë mënyrë pastaj nuk kanë përtuar ta shabllonizojnë edhe komunarët tanë.
Korrupsioni e nepotizmi i hapët
Një kohë është menduar se, vetëm LDK është parti që merret me nepotizëm dhe korrupsion. Mirëpo, pas saj si duket u mësuan të gjithë. Dhe veprimeve të këqija u dhanë vulë të pashlyeshme si duket udhëheqësit e komunave këtyre kohëve. Dhe mendimi se PDK do të kapërcej anët negative dhe do të shërbej në institucione ashtu si është menduar, ashtu qysh edhe vetë janë deklaruar nuk doli, veç ndodhi shumë e kundërta. Psh. Nuk ka pas mundësi që institucionet vetë të inkuadrojnë ndonjë punëtor për nevojat e rastit, dhe atë me konkurs, pa e dhënë vizën kryetari i komunës. Do të thotë, nuk ka pas nevojë të ketë kurrfarë ligji e as për punësim konkurs fare. Ligji e gjyqi shihej vetëm kryetari i komunës. Nëqoftë se edhe subjektivzmi ishte shprehje e një ekstaze, atëherë “vaj halli!” e madje edhe premtimi i më hershëm, dhe kjo ka ndodh, bile edhe shumë fëlliqtë. Dhe kjo s’ishte veç një herë. Në qoftë se kryetari është dashur ta përmbushë ndonjë obligim për ndonjërin/njerën, për çështje shumë private e subjektive, atëherë ky person ka shkuar ne vendin e punës, edhe pa kualifikim të nevojshëm, madje edhe me sakrificë të ndonjë punëtori me përvojë dhjeta e dhjeta veç e me dokumentacione të plota. Këtu ka rënë prej forme konkursi. Rrallë, për të mos thënë asnjë herë nuk është dëshmuar pranimim me konkurs i kuadrit. Dhe, kur ka qenë në pyetje, inkuadrimi i individëve, partitë kanë qenë shumë të harmonishme në mes veti: unë ty – ti mua! Që do të thotë, nuk ka pas opozitë, pos atyre të VV, këtu e atje.
Madje, ky kryetari i komunës nga PDK dega në Gjilan, herë-herë nuk e ka qeveris këtë komunë vetë e me njerëz të këtij terreni. Sa kemi dëgjuar e pa, që është shumë më keq, edhe disa kuadro e të punësuar i kanë ardhur me “gisht” tregues. Por, edhe për çështje tjera. E për mos fitimin e zgjedhjeve kësaj here, fajtor është edhe fraksioni i brendshëm i kësaj dege. Por, edhe kryetari i partisë, i cili gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar shumë, përderisa dihet se, Anamorava ka qenë gati e shkëputur nga regjionet. Buxheti ka qenë shumë i vogël për këtë komunë. Me një fjalë nuk është përmbushë premtimi i më parshëm, kur është folë e përfolë për vjedhje të votave. Qemajl Mustafa është njeri i cili merr vesh në qeverisje institucionale, edhe për kohën e vet ka punuar. Krejt në rregull do të ishte edhe më tutje, sikur të mos shkonte me grupe jo elitare. Sikur të mos merrej edhe me tendere si shumë kolegë të tij në komunat tjera. Sikur t’i mbante pranë vetes këshilltarë dhe intelektualë që i “ha pazari” dhe që, shkurt janë të aftë e të formuar. Sikur të mos gënjente shumë. Sikur mos ta fuste veten peng. Sikur të mos e qeveriste tjetër kush këtë komunë në emër të tij. Sikur mos të bëhej bukur cinik edhe publikisht (si shumë i dijshëm dhe të gjithë mund t’i merrë nëpër këmbë me fjalë, gjoja sikur s’e merr vesh askush) dhe kjo ka dalë një moskontroll i nevojshëm për veten e tij. Sikur të mos i përfillte njerëzit kacavjerrës, të cilët mu ata i shkaktuan humbjen e vërtetë. Me këtë, dua të them i kanë shkaktuar dëm edhe një pjese të elektoratit dhe simpatizantëve. Këta kacavjerrësit, shtihanat dhe spekulantët me ato maskat e palaçove edhe sot janë gjendje të veprojnë kundër të gjithëve, vetëm për ndonjë kockë. Ata shtihanat! Po ata nuk bën që të takohesh e lë më të bashkëpunojsh me ta e shumë më pak t’i favorizojsh. Këta janë e keqja e çdo regjioni, qyteti, fshati, etj.
Kujdes në të ardhmen edhe për të tjerët. Mendoj, që humbja e thellë e partive dhe e kandidatëve, duhet të sanksionohet edhe me mënyra tjera. /2lonline/