Presidentja e Republikës së Kosovës ka pranuar me shqetësim njoftimet e sotme në mediat e Kosovës se njëri nga të burgosurit e falur dyshohet të jetë recidivist.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin se Sedat Berisha është falur me dekret të Presidentes së Republikës së Kosovës me datën 17 shkurt 2014, pas konstatimit të komisionit profesional për falje, bazuar në dokumentet dhe informatat e prezantuara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës se i burgosuri i plotëson kriteret e parapara me ligj dhe rregulloren e Presidentes për falje.
Presidentja Jahjaga, bazuar në informacionet e publikuara në media, ka kërkuar mbledhjen urgjente të komisionit profesional për falje, për të vërtetuar dyshimet e ngritura në media. Presidentja Jahjaga shqetësimin e saj ia ka shprehur edhe ministrit të drejtësisë, Hajredin Kuçi, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ndërinstitucional, me qëllim të zbardhjes sa më të shpejtë të këtij rasti.
Presidentja Jahjaga falënderon mediat e Kosovës për vigjilencë, duke vlerësuar rolin e tyre të rëndësishëm në shoqëri si kujdestar të mirëfilltë të institucioneve të vendit.