Pas aktgjykimit nga Gjykata themelore ndaj 4 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje , Adea Batushës, Atdhe Arifit, Egzon Halitit e Frashër Krasniqit, përmes një konference për media, Kryetari Visar Ymeri e deputeti Dardan Molliqaj thane se ky rast është kryekëput politik.
“Dënimet e larta për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje pa asnjë provë apo dëshmi, material a verbale, e zhvendos vendimin e gjykatës nga parimet dhe procedurat e ligjit te vendimet e ndikimet politike. Ky dënim ka për qëllim t’i arsyetojë masat drastike të përndjekjes që janë përdorur nga pushteti në këtë rast, e të cilët ia morën jetën njërit prej aktivistëve të akuzuar, Astrit Deharit. Ky vendim nuk sjellë drejtësi, nuk e zbardh rastin për të cilin akuzohen aktivistët tanë, por synon ta mbulojë vdekjen e Astriti në Burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016”, tha Kryetari Ymeri.
Ai tha po ashtu se vetë shqiptimi i dënimit 2 ditë para 19 nëntorit, kur do të votohet për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, tregon se synim ka qenë të dëmtohet Lëvizja Vetëvendosje!. Por, ai u shpreh i bindur se kjo nuk e ndalë Vetëvendosje-n. Madje ai tha se angazhimi ynë politik vetëm sa do të shtohet, mobilizimi ynë për 19 nëntor vetëm sa do të rritet dhe rritja e Vetëvendosje! vetëm sa po konfirmohet.
“I ftoj të gjtihë anëtarët e aktivistët të jenë të angazhuar, mos ta humbin fokusin nga beteja jonë politike. Luftës politike kundër Vetëvendosje! do t’i përgjigjemi me mobilizim politik në secilën betejë tonën. E ardhmja dhe më e shpejta është beteja elektorale më 19 nëntor”, ishte thirrja e Ymerit.
Edhe deputeti Dardan Molliqaj theksoi se dënimi i sotem ndaj aktivistëve është i padrejtë , por ai shprehu bindjen se ky vendim do të rrëzohet dhe se këta aktivistë do të shpallen të pafajshëm. Duke folur për rastin, tha se asnjëri nga dëshmitarët e rastit nuk e fajëson ndonjërin prej aktivistëve.
“Nuk ka asnjë raport të asnjë institucioni vendor e ndërkombëtar, që ka thënë që aktivistët tone kanë lidhje me rastin. Përkundrazi, përfshirë me forenzikë, me teste të ADN-së, përfshirë testet dhe hulumtimet e krejt pajisjeve të konfiskuara, të gjitha zyrtarisht tregojnë se aktivistët tanë nuk kanë lidhje me rastin”, tha ndër të tjera Molliqaj.
Molliqaj përmendi edhe shpalljen e aktgjykimit në afat rekord, dy ditë para zgjedhjeve, ndonëse ka pasur kohë 15 ditë, duke thënë se kjo është dëshmi tjetër që tregon se sa politik është ky vendim i padrejtë.
Në fund, ai tha se Lëvizja Vetëvendosje do t’iu japë përgjigjen atyre që kanë kapur drejtësinë dhe që duan të përfitojnë nga ky rast, fillimisht sonte me masivitetin në tubimin përmbyllës në Prishtinë, më pas me rezultatin e zgjedhjeve të dielen dhe pastaj me drejtësinë e cila të gjithë përgjegjësit e këtij rasti do t’i çojë në burg.