(2LONLINE) – Të gjitha vendimet që janë marrë nga ish kryetari i komunës Qemajl Mustafa, përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore (3 tetor – 24 dhjetor, 2013), pra nga dita e fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale e deri në marrjen e postit nga kryetari i ri, vlerësohen si vendime të paligjshme dhe se ato do të përfundojnë në hetuesi.
Salih Kqiku, njëri nga anëtarët e komisionit për vlerësimin e vendime të tilla dhe të obligimeve komunale , ka thënë për Portalin 2L Online, se të gjitha vendime që janë marrë brenda kësaj periudhe do të auditohen paraprakisht dhe më pas do të përfundojnë në hetuesi.
“Brenda periudhës në fjalë, janë marrë 105 vendime nga ish kryetari i komunës e të cilat do të auditohen e më pas që të gjitha këto vendime do të dërgohen në hetuesi”, ka thënë Kqiku, sipas të cilit, vendime të tilla kanë edhe implikime të mëdha buxhetore, ndërsa kanë të bëjnë me të gjitha sektorët.
Salihu, që njëherësh është edhe ushtrues detyre i drejtorit të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, ka bërë me dije se vendimet e tilla janë evidentuar dhe listuar dhe se tani janë duke u shqyrtuar një për një. /2lonline/