Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i tretë lokal koordinues për implementimin e Udhërrëfyesit për një zgjidhje të qëndrueshme të armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve të tyre në Ballkanin Perëndimor.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, në cilësinë e koordinatorit nacional për kontrollin e armëve të lehta dhe kontrollin e eksplozivëve, tha se MPB është e interesuar që ta implementojë udhërrëfyesin në përpikëri dhe ta zbatojë planin e veprimit të Strategjisë.
“Ne mburremi me sukseset dhe profesionalizmin e Pikës së Kontaktit për Armë (FFP) në kuadër të Policisë së Kosovës, e cila në mënyrë brilante kryen detyrat dhe angazhimet në fushën e shkëmbimit të informatave, në kohë reale, me institucionet kompetente, gjurmimin kombëtar dhe ndërkombëtar, prodhimin e raporteve si dhe produkteve inteligjente në fushën e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta. Pika e Kontaktit për Armë shërben edhe si një praktikë shumë e mirë në rajon”, tha ministri Veliu.
Gjatë këtij takimi, ministri Veliu falënderoi donatorët dhe partnerët për kontributin e tyre bujar, në veqanti Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Francës, UNDP-në në Kosovë si dhe SEESAC, për përkrahje të vazhdueshme në këtë fushë, por edhe për këshillat profesionale dhe përkrahjen teknike.
Me qëllim të avancimit të mëtejshëm të punëve dhe angazhimeve në fushën e kontrollit dhe minimizimit të armëve ilegale, ministri Veliu kërkoi përkrahjen e mëtejmë të tyre edhe në fushën e luftimit të armëve ilegale në aspektin e hetimeve policore.
Gjithashtu, ministri Veliu u bëri apel qytetarëve të Republikës së Kosovës të qëndrojnë sa më larg armëve ilegale dhe dhunës në përgjithësi, për një Kosovë dhe një rajon më të sigurt.