VEGIMET NË VORBULLËN TEJPAMËSE
/Anton Nikë Berisha, Sytë e heshtjes. Përsiatje poetike. Botoi Argeta LMG, Tiranë 2018/
Shkruan: Nexhat Rexha
Veprat poetike “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes” përkojnë mes tyre në stil dhe si vlerë; ato përligjin ngritjen shprehëse stilistike të vargjeve që i përbëjnë. Të dy veprat janë një lloj shtegtimi poetik, ku zbulohet bota njerëzore, vetja jonë; shprehet e sotmja dhe e kaluara, lashtësinë. Përmes tyre dëshmohet thellësia e meditimit, në ndonjë pjesë më bukur e veçantë si në këngën numër 13 të librit “Sytë e heshtjes”. Ato përfillën ose prapësohen në pajtim me dhembjen ose me dashurinë e syve dhe të heshtjes; heshtja është lutje dhe qortim. Anton Nikë Berisha me butësi dhe elegancë ka shprehur në vargje këtë qortim të botës shqiptare. Kjo mënyrë e trajtimit kërkon meditim, emancipim kulturor e kombëtar.
Anton Nikë Berisha dallohet në rrafshin e studimeve të letërsisë, po dhe në krijimin e veprave poetike; përmes tekstit si strukturë gjuhësore shprehëse ofron një realitet artistik sa të veçantë aq dhe komunikues. Në këtë vepër si realitet artistik bëhet heshtja; pra pena e autorit kristalizohet arsyeshëm në fjalën heshtje, të cilën e shpreh me anën e tekstit poetik, të cilësuar me mundësi të dukshme të funksionimit dhe të ndikimit.
Fjala e gdhendur nëpër tridhjetë e tri pjesë, të cilat ndërtohen në modelin e sonetit – prej 14 vargjeve, po pa veçoritë metrike tradicionale, ato i përgjasojnë më shumë poemës që gërmon në dashurinë hyjnore dhe njerëzore, po i jep dhe një përmasë të brumosjes mitike.
Ndërgjegjësimi i njeriut përmes heshtjes si artikulim i mëvetësishëm brenda shpirtit të trazuar ka mbështetjen e realitetit jetësor në veprimet humane të Nënës Tereze, po duke e lidhur dhe me përvoja të shkrimtarëve të shquar, fjala vjen, të Shekspirit, të cilin autori e citon disa herë.
Shtrirja poetike të përkujton në vorbullën e durimit dhe në qëndresën e zemrës, si lajtmotiv e lidhje ndërkomunikuese me botën shpirtërore brenda konceptit njerëzor, që nga lashtësia e deri në pafundësi të ekzistencës. Në këto marrëdhënie sa humane, kontemplative (vëzhguese), po aq edhe tramuatizuese, sytë janë barometër që në ngjyrimet e dukshme të ngjarjeve krijojnë e zbërthejnë botën e njeriut si në pikturën e Monanlizës.
Kështu edhe bota shpirtërore e Nënës Tereze shprehet në vargjet e Anton Nikë Berishës. Frymëzim, rrezatim i pranueshëm dhe i frytshëm në realizimin e fjalës artistike si dhe në mesazhin tejpamës për artin në përgjithësi.
Heshtja e syve apo bamirësia e zemrës së përkushtuar në jetë dhe në art, janë preokupim, vegim në vorbullën tejpamëse të Anton Nikë Berishës; ai ndjen e përjeton një varg funksionesh të heshtjes nëpër rrethana e pikëtakime të dritës e të jetës, të cilat vijnë si përjetime e hulumtime nga pikat e fillimit e deri në pikat përfundimtare të konkretizimit nga absurdi deri në lartësinë humane: “Heshtja është ndriçim hyjnor / që njësohet me bukurinë që vret”
Në këto raporte ndriçuese dhe vrastare për të bukurën, komunikimi i brendshëm me botën artistike vijnë si prehje shpirtërore të autorit; ai është në kërkim të së bukurës dhe ajo ekziston, si e tillë kërkon mendjen që ofron ngrohtësi. Këtë ngrohtësi autori e jep në lexim dhe në përjetim, duke shpalosur ngjyrat, të cilat akumulojnë ngazëllim. Në këto reflektime bota poetike rishfaq meditimet e njeriut kërkimtar, për të prekur nga afërsia atë që ndjen.
Në këtë kompleksitet të cilësisë e të heshtjes së brendshme jeta prodhon deri në finalizim dashuri. Në këtë prodhim lartësohet idealja si rrezatim për atë që sytë e heshtjes bashkë me shpirtin e bluajnë në vete, si dominim e përafrim shpirtëror që jeton e nuk flet, si besim shpirtëror për të mundur fatkeqësinë.
Këtij vëllimi figurat poetike i japin shpirt, gjallëri e vlerë në përftimin e çdo vargu dhe ku lartësohen në mënyrë të pranueshme brenda kontekstit përkatës; më shumë krijohet metafora si paraprijëse e bukurisë dhe e ngrohtësisë për të krijuar aleancën njerëzore si domosdoshmëri.
Figurat përçojnë idenë e tekstit për të krijuar përshtypjen në përjetimin e kësaj heshtjeje të bujshme, e cila bart në vete filozofi të veçantë brenda problemeve të natyrshme dhe gjithët kjo i jep veprës origjinalitetin artistik. Kështu që teksti poetik komunikon lirshëm me vullnetin dritëdhënës si perceptim e realizim i hirit hyjnor dhe mitologjik.
Kërkimi i lumturisë në sytë e dashurisë kërkon kujdes; vjen si thesar në predikimin e kërkuar, duke zbuluar në vetminë e fluturimit kërkimtar, e për të skalitur etikën e kujtimeve që vinë bashkë me pushtetin e lirë të dashurisë njerëzore.
Përsiatjet poetike “Sytë e heshtjes” janë depërtim e magji, që të japin ngjyrimin drejt pavdekësisë, nëpër këtë mozaik pamjesh të mbipeshimit të optimizmit për të mundur të keqen. Urata e syve kurorëzon në uratën e pritshme në sintezë të imazhit simbolik kah identifikimi shpirtëror në shërimin e plagëve të sofistikuara.
Poetika e tërësishme e poemës ka gërshetim e ngjeshje të vargut si në lidhjet e brendshme, ashtu edhe në ndërtimet artistike që i japin gjithë veprës vlerën dhe mundësinë e ndikimit estetik në lexuesin.
Në këtë dialektikë artistike Anton Nikë Berisha ka sajuar pika qendrore, të cilat komunikojnë me rrjedhat e ndërgjegjësimit për të mundur dhembjen, kurse si prodhim i mundshëm, i pranueshëm dhe universal për botën njerëzore, shprehet në vargjet e këngës së tetë: “është rruga më e shkurtët të mbërrihet te Hyji, / tek a afërmi, te tjetri, te dhimbja e tij / se tjetri i jep kuptim jetës sonë / mbasi dashuria nga dashuria rritet”.
Konteksti i marrëdhënieve të dukurive dhe ngjarjeve që prodhon koha me zhvillimet njerëzore, brenda proceseve nga më të ndryshmet, krijojnë mundësi për të shprehur e ndriçuar botën e brendshme si dhe lidhjen me sytë e zemrës në dashuri, shërbim i plagëve dhe i dhembjeve të pareshtura. Nëpër këto rrjedha të paradoksit historik, të kufijve të mirëkuptimit dhe të shprehurit artistik, Anton Nikë Berisha përmes gjuhës poetike i jep jetë formës e muzikalitetit autonom, një sistemi të koordinuar me fjalën dhe konfiguracionin e saj brenda tekstit poetik. Ato kanë lidhjet e tyre mbështetëse si referencë e domosdoshmëri që kërkon poezia në konceptin e shtjellimit si pjesë e tërësisë së veprës. Rolan Bart në veprën e tij ”Aventura semiologjike” thotë se pa fjalën e shkruar në veprat letrare, gjuha do të varfërohej. Anton Nikë Berisha e ka pasuruar fjalorin e gjuhës shqipe, që shumë fjalë të përdorura si kompozita në këtë libër plotësojnë këtë mungesë të fjalës shqipe.
Në këngën e trembëdhjetë ”Heshtja është dashuri mëmëdheu”,përkundër kundërthënieve të kohëve dhe dhembjeve që ka demotivuar faktori antinjerëzor, qortimin për rrjedhat e nëpërkëmbura të fatit të popullit të tij, autori i funksionalizon me shkathtësi, që poezisë i japin gjallërim për të ruajtur frymën e paraardhësve tanë. Në këto depërtime artistike shpalosen e ruhen rrënjët tona. Kjo formë shkrimore, krijon hapësirë e mundësi për të konfirmuar pikëpamjet historiografike, pa imponime dhe pa ndërlikuar historinë dhe letërsinë. Pra, kemi para vetit fjalën poetike, e cila të jep mundësi në përjetime të thella për dashurinë ndaj atdheut.
Mendoj se vepra “Sytë e heshtjes” është pikturim në vete poetik që komunikon me ngjyrimet e botës njerëzore dhe si e tillë nuk shteron, sepse leximi i vargjeve ka veçantitë e pamjeve të brendshme e të jashtme të botës e njeriut. Në tërësinë e vet kjo vepër është një kodifikim për jetën, dashurinë, ekzistencën dhe fjalën e peshuar poetike, shumësisë së mesazheve. Parashtrimet poetike kanë harmoninë e rrjedhshme në ndërtim të vargut dhe strukturës së brendshme në fokusim e stilistikë. Autori ka ruajtur frymën e vargut dhe të strukturimit të tij, si në ide e formësim të origjinalitetit krijues.
Është me rëndësi të them se përqendrimi i Anton Nikë Berishës në krijimin e poemës ka rrjedhën e veçantë që është shprehur qysh në veprën “Prushi i bukurisë” dhe me këtë vepër ka ngritur e ruajtur arkitekturën poetike në stadin e vlerës artistike në këtë fazë të proceseve letrare në letërsinë shqiptare.