Shkruan: Sherafedin KADRIU
VEÇORI TË SË KOBSHMES ARTISTIKE
( Romani “I huaji” i Kamysë interpretuar sipas përkthimit të Ferid Perollit dhe Gani Lubotenit në viti 1961. Romani qe botuar në vitin 1942, ndërsa autori, Albert Kamy u nderua me Çmimin Nobel, më 1958 ).
Ngjarja e romanit shkurt dhe me ndonjë ndërhyrje për sqarim të mëvonshëm:
Merso merr një telegram prej Drejtorisë së Strehimores së Pleqve, nëpërmjet të të cilit njoftohet se i kishte vdekur nëna dhe se të nesërmen do të bëhej varrimi i saj.
Lajmin e pret pa asnjë lot, me gjakftohtësi…. Merr dy ditë pushim nga punëdhënësi dhe niset për në fshatin Marengo, ku ndodhej Strehimorja. Duke udhëtuar me autobus, ai fle…Ishte vapë, edhe pse të mos flinte..
Drejtori i Strehimores e dërgon në kapelë, ku ndodhej arkivoli me trupin e nënës së vdekur. Për befasi, Morso nuk do ta shohë as për herë të fundit fytyrën e nënës.
Pi qumësht, kafe, ndez cigare, fle edhe atë natë. Po çfarë të bënte tjetër?Të qante? Edhe po të qante, do të ndalej së qari, nuk do të rrinte vetëm duke qarë.
Dita e varrimit të nënës sjell sjellje paksa më ndryshe nga ç’i pret lexuesi. Merso nuk e përballon vapën që vjen nga ai diell shkëlqyes, po ç’ka të jashtëzakonshme? Çfarë ka të çuditshme?
Të nesërmen shkon në plazh për t’u larë. Takohet me Mari Kardonën, daktilografisten e zyrës së tij, me të cilën kalon aventura dashurie, në mbrëmje shikon një film komik në kinema… ishte i vetëm. Duket se nuk do të kishte vizita ngushëllimi nga njerëzit. E pse atëherë të mos shkonte? Pse të rrinte duke qarë, jeta duhet vazhduar. Nuk do të fitonte asgjë nga vetmia…
Dhe, qe dielli i asaj dite të rëndë, edhe shkëlqimi i asaj thikës e tronditin Merson në një plazh të Algjerit, dhe ndodh vrasja… Merso vret një arab. Thjesht, vret…
Dhe e burgosin.
Tani sjellja e tij indiferente në këtë situatë sikur të mos kishte të bënte me të, po me dikë tjetër, është sjellje tip absurdi, sepse po t’i vështrosh në thellësi, duket se autori fsheh diçka më shumë, edhe përtej parimit të ajsbergut…
Për ndihmë, le t’i shtrojmë disa pyetje:
Si ndodh që një botë e tërë kritikësh letrarë merren me fatin e Mersosë, analizojnë tipin e tij, iu dhimbset pse u dënua me vdekje, ose më së paku shfaqin simpati për të, e trajtojnë në aspektin filozofik e sociologjik dhe, është fjala për një vrasës.
Pse ndodh kështu?
Pse nuk mësojmë më shumë për të vrarin?
Hipotetike: Sikur Merso të sillej sipas përvojës së kohës në raport me vdekjen e nënës, si do të dënohej nga gjykata?(Gjithnjë mendojmë për brenda letrares).
Pse dënimin e Mersos e konsiderojmë gati-gati absurd sepse qenka dënuar për motive tjera, jo për vrasjen e arabit.
Pse ndodh që edhe lexuesi e kalon shpejtazi vrasjen, siç e kalon vetë narratori, gjithnjë duke menduar se çdo të ndodhë me Merson?
Në fund, pas disa muaj qëndrimi në burg dënohet me prerje koke në një shesh publik. Edhe dënimin ia kumton lexuesit si të bëhej fjalë për dikë të largët dhe të huaj edhe në kohë. Aq ftohtë sa për t’u habitur. Se rrëfimin e bën vetë z. Merso.
Dhe, përfundimi përmbyllës i romanit: Le të marri fund e gjithë kjo, le ta ndiej veten sa më pak të vetmuar; më mbetet vetëm të kërkoj që ditën e ekzekutimit tim të ketë sa më shumë shikues dhe të më presin me klithma plot urrejtjeje.
***
Nuk është krejt shpërfaqje situate pa analizë nga rrëfimtari, që kësaj here është vetë personazhi kryesor i romanit “I huaji” nga Albert Kamy.
Në shikim të parë edhe mund të konstatohet njashtu, por kur thellohesh në fjalitë përshkruese të situatave nëpër të cilat kalon personazhi kryesor dhe jo vetëm ai, ti si lexues fillon e ndjehesh si një psikolog i varfër para mendimeve, veprimeve dhe gjykimeve të Mersoit, se nuk janë të thjeshta siç duken. Nuk gjejmë edhe një personazh në letërsinë e përbotshme që në pak faqe të jetë ndërtuar më mirë se Mersoi, sidomos për veprime të kundërta me përsëritjen sizifiane.
E pra, Mersoin mund ta dënosh për çfarë të duash… Pse nuk qau për nënën e vdekur. Pse nuk shikoi fytyrën e saj bile herën e fundit. Pse bëri një gjumë të thellë në autobus. Pse menjëherë të nesërmen shkoi në plazh me daktilografisten e tij për të bërë qejf. Pse vrau arabin.
Por, Mersoin nuk mund ta dënosh për përsëritje njerëzore dhe jetësore. Ai nuk përsërit si Sizifi. E ka inat veprimin e Sizifit. Edhe më shumë ka inat filozofinë e Sizifit. E, krejt filozofia e Kamysë nis te guri i Sizifi dhe mbaron te ngjitja dhe zbritja e gurit nga Sizifi, si liri letrare dhe si liri filozofike.
Brenda letrares
Në roman, shumëçka mbetet pa thënë, e lexuesi do të donte të dinte, po mirë, mundësitë për imagjinatë të shfrenuar janë. Le të themi se kritika letrare ka evidentuar tri vdekje: vdekjen e nënës së Mersoit, të arabit dhe vetë vdekjen e Mersoit. E, ç’është e vërteta, duhet një emërtim më i saktë se nuk është krejt ashtu. Mjafton t’i përmbahemi zbulimeve që ofron romani. Nuk ka ndonjë arsye të dilet nga romani, jashtë tij, jashtë botës artistike.
Në roman ndodh një vdekje, një vrasje dhe një dënim, – dënimi me vdekje, pa pasur nevojë që romanin ta shohim të shkëputur nga filozofia ekzistencialiste e kohës, sepse duke iu përmbajtur mu asaj filozofie problemet letrare mund të ngjyrosen me realen.
A është kjo sjellje e Mersoit përvojë njerëzore? Jo, edhe për mua, pa menduar për dënimin e Sizifit. Po, se ka njëherë të parë, dihet. Dhe, mënyra më e mirë e shpërfaqjes së herës së parë të problemit modern bëhet nëpërmjet rrëfimit në vetën e parë nga vetë personazhi kryesor.
Me psikologjinë
Mersoi ka problem me Gjykatën, jo me shoqërinë, e cila di ta mbrojë dhe do ta mbrojë, edhe pse aktakuza nuk përfillet. Në fund të fundit, Mersoi nuk dënohet për vrasjen. Por dënohet për sjelljet e tija. Kështu del në pah kategoria e dilemës që këtë roman e tipizon si psikologjik.
Unë mendoj për psikologjinë e dënimit. Dhe, sa mirë që dënimi nuk është ekzekutuar. Pse dhe çfarë do t’më shtynte që ta interpretoj dënimin si parim ajsbergu? Një parim të tillë e shoh në veprimet që nuk përsëriten si përvojë.
Të dënohesh dhe të ekzekutohesh janë dy vendime. Këtu është realizuar vetëm njëri vendim: gjykimi dhe jo edhe ekzekutimi. Janë dy gjëra të ndryshme. Parë në këtë aspekt, më duket se loja fillon këtu: Mersoi beson në mundësinë e heqjes së dënimit, edhe kur ka marrë vendimin e prerë për heqje koke.
T’i bësh të nënkuptuara disa gjëra të kuptuara është psikologji letrare. Është më shumë filozofi. Është kundërshti njëkohësisht. Është aftësi absurdi që filozofinë jetësore e shndërron në filozofi teorike. Është ide e fatit të personazhit, jo personazhi vetë, do të thoshte Heminguei. Prandaj bisedojmë sa të doni për idetë e Mersoit dhe fatin e tyre, po jo për fatin e personazhit Merso.
S’ka nevojë. Ai nuk përsërit. Nuk është Sizifi. Më përpara vetëvritet. Jo se vetoret idenë e tij, veten e tij.
E bukura e romanit
E bukura e romanit është e kobshmja e idesë që paraqitet ndryshe, që nuk përsërit. Këto janë skajshmëritë filozofike, ato që bëjnë gabimet më të mëdha, sa herë shtrohen në letërsi.
Albert Kamy i dashur, sa keq që s’më prite për një vit të kishim jetuar në të njëjtën kohë reale, se në kohën tënde poetike jetoj edhe sot. /2LONLINE/