Kosova është i vetmi vend në rajon me prezencën më të madhe ndërkombëtare. Mirëpo edhe përkundër kësaj, shtetasit kosovar kanë mbetur të vetmit në rajon të getoizuar, pa të drejtën e levizjes së lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian!
Shkruan: Florim Zeqa
BE-ja përveq prezencës politike (diplomatike), policore (EULEX) dhe ushtarake (KFOR), nga fillimi i aplikimit të monedhës “EURO”, Kosovës i ka imponuar sistemin monetar pa qënë fare pjesë e saj.
Mirëpo të njëjtat kritere nuk ka arritur t’i aplikojë aq lehtë edhe në vendet e rajonit, gjegjësisht edhe në ish republikat e tjera të ish federatës jugosllave.
BE-ja në njërën anë Kosovës i instalon sistemin monetar të saj, ndërsa në tjetrën paradoksalisht i mohon liberalizimin e vizave për qytetarët e saj!
Fatkeqësisht, padrejtësitë ndaj shtetit të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht 10 vite më parë (17 shkurt 2008) po vazhdojnë edhe në ditët e sotme.
Vënja e kushteve të padrejta pushtetarëve kosovar në këmbim të liberalizimit të vizave, siq është Demarkacioni me Malin e Zi, është akt i paprecedent nga zyrtarët e BE-së! Pasi një gjë të tillë nuk e kanë aplikuar edhe për vendet tjera të rajonit, gjegjësisht me republikat tjera të ish federatës jugosllave, disa prej të cilave janë bërë edhe pjesë e BE-së dhe NATO-s pa ju vënë kushtin e demarkimit të kufirit siq është rasti pikërisht me Malin e Zi, me të cilin vend Kosova ndodhet në kontekst territorial, por që qytetarët e këtij vendi nuk e bartin asnjë konseguencë sa i përket levizjes së lirë të njerëzve dhe mallërave drejt vendeve të BE-së.
Kështu, të vetmit që padrejtësisht po penalizohen në Ballkanin jugëpërëndimorë janë shqiptarët. A thua pse!?
Sepse e gjithë kjo është pasojë e një lidershipi të papërgjegjshëm kosovar në këtë dekadën e fundit, gjegjësisht në dekadën e pavarësimit dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit tonë.
Thellësisht jam i bindur se, sikur të kishim liderë të përgjegjshëm shtetërorë dhe klasë politike të pastër dhe të pakorruptuar, do të kishim një parlament të fortë , kredibil, të përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe të respektuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Përderisa parlamenti të përdoret si marionetë e qeverisë, nuk mund të pritet gjë e mirë dhe me vlerë për vendin tonë.
Nivelin e ulët, do të thoja mesjetar të klasës politike në Parlamentin e Kosovës e dëshmoi seanca e fundit, respektivisht interpelanca e kryeministrit Haradinaj në raport me të shtënat me armë të Ministrit të Diasporës z.Dardan Gashi në ahengun e famshëm familjarë!
Sjelljet dhe gjuha e përdorur (primitive dhe seksiste) e deputetëve në njërën anë dhe mbrojtja e një veprimi krejtësisht të paligjshëm të ministrit në fjalë, duke u thirrur në traditat popullore e dëshmonë qartë kulturën dhe nivelin në të cilin ka rrëshqitur politikbërja kosovare në fundin e dekadës së parë të pavarsisë së shtetit tonë dhe në fundin e dekadës së dytë të shekullit 21!
Sikur të zgjedhurit e popullit (deputetët) të silleshin konformë besimit qytetarë, atëherë shkarkimi i ministrit Dardan Gashi duhet të ishte pikënisja, përderisa veprimet ligjore të sistemit të drejtësisë me vazhdimin e mëtutjeshëm për ndëshkimin edhe të aktorëve tjerë që u sollën si “kauboj” të Hollivudit në ahengun e famshëm familjarë në Banjë të Malishevës.
Kjo nuk ndodhi për arsyen e thjeshtë, pasi shkarkimi eventualë i sekserit të kontrabandimit të votës së deputetes Teutë (Ibrahim) Rugova, do t’i rrezikonte Ramush Haradinjat humbjen e postit të kryeministrit.
Por meqë kjo nuk ndodhi, keqqeverisja e vendit, parregullsitë dhe anarkia në sistemin gjyqësorë do të vazhdojnë akoma, ndoshta deri në pambarim,…derisa të vie në pushtet një klasë e përgjegjshme politike, me etikë dhe integritet profesional për të udhëhequr shtetin dhe dikasteret përkatëse qeveritare.
Mbase sjelljet e fundit të pushtetarëve dhe deputetëve në Parlamentin e Kosovës, do të jenë një “alibi” më shumë për getoizimin e mëtutjeshëm të qytetarëve të këtij vendi dhe talljen me liderët shtetëror të Kosovës me mosdhënje të vizave nga shtetet e BE-së, përderisa zyrtarët evropian hyjnë e dalin nga Kosova të pa u “skanerizuar” nga autoritetet kufitare në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Përkundër këtij fakti, javëve dhe ditëve të fundit është shtuar dukshëm fluksi i qytetarëve kosovar para ambasadave të huaja në Prishtinë, për të kërkuar vizën për largim nga ferri që u shkaktuan politikanët e papërgjegjshëm në dekadën e fundit në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës.