Matematikanët e rinj gjilanas e stolisin qytetin e tyre me medalje dhe mirënjohje të reja për festën e Pavarësisë së Kosovës.
Më 15-17 shkurt 2020 në Vushtrri, u mbajt me sukses Olimpiada e Parë Matematike Kosovë-Shqipëri – OMKSH 2020 (Kosovo and Albanien Mathematical Olympiad – KAMO 2020 ), për nxënësit e klasave VII – IX.
Nga Festim SHKODRA , profesor i matematikës
Kjo olimpiadë u organizua nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) dhe Shoqata Shqiptare e Matematikës, për nder të Festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në olimpiadë morën pjesë edhe garues të tjerë shqiptarë, nga trojet etnike jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, që ishin treguar të suksesshëm në garat e tyre vendore apo të tjera. Ndërsa në të ardhmen do të ftohen të marrin pjesë edhe garues të tjerë shqiptarë nga e tërë mërgata jonë. Sivjet organizimin e kësaj gare e mbështeti Komuna e Vushtrisë dhe kompania shqiptaro-amerikane “Ninety One”. Olimpiada u zhvillua në kushte tejet komode, në hapësirat e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Olimpiada u hap më 16.02.2020, ndërsa rezultatet u shpallen solemnisht më 17.02.2020. Edhe në këtë olimpiadë matematikanët e rinj gjilanas vazhduan me suksese, ata arritën të fitojnë tri medalje (një të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë) si dhe tri mirënjohje nderi.
Nxënësit që sollën këto ndere Komunës së Gjilanit janë:
– LUM JERLIU – kl. IX / medalje të artë / SHMU “Abaz Ajeti” , Gjilan
– BLERAND AJETI – kl. VIII /medalje të argjendtë / SHMU “Musa Zajmi” , Gjilan
– OLT BAJRAMI – kl. VIII / medalje të bronztë / SHMU “Rexhep Elmazi” , Gjilan
– AULON MIFTARI – kl. VIII /mirënjohje nderi / SHMU “Nazmi Hoxha” , Gjilan
– EDION BERJANI – kl. VIII / mirënjohje nderi / SHMU “Thimi Mitko” , Gjilan
– DION ALIU – kl. IX / mirënjohje nderi / Shkolla “Don Bosko” , Gjilan
I urojmë këta talenta të rinj të matematikës sikur edhe të gjithë garuesit tjerë duke ju dëshiruar shumë suksese edhe në sfidat e radhës në mbretëreshën e shkencave – matematikë!