(2L ONLINE) – Një deklarim i shefit të administratës në Gjilan, që ka të bëjë me nënshtetësinë e qytetarëve të Kosovës Lindore, ka revoltuar drejtuesit e Lëvizjes Vatra në Gjilan. Për më tepër ata e konsiderojnë fyerje të rëndë për qytetaret e Kosovës Lindore për çka kërkojnë nga kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri të marr masa ndaj këtij zyrtari.
Duke sqaruar për portalin 2L ONLINE se për çka bëhet fjalë, Enver Haziri, sekretar organizativ i Lëvizjes vatra, ka bërë me dije se kjo Lëvizje kërkon me ngulm nga Kryetari Lutfi Haziri, të kërkoj përgjegjësi nga Agim Velekica në pozitën e shefit të shërbimit te gjendjes civile ngase, siç thotë Haziri, “shefi’ në një prononcim për transmetuesin publik, para ca ditësh, me temën nënshtetësia për qytetarët e Kosovës Lindore, drejton akuza fyese, dhe shumë denigruese në drejtim të qytetarëve të dëbuar nga Kosova Lindore.
“Ai duke i quajtur profiterë të cilët kanë lënë shtëpitë e tyre për të ardhur në Kosovë, madje edhe për të marr pensione, ky zotëri shkon edhe më larg, duke i quajtur qytetarët e Kosovës Lindore bashkëpunëtorë të strukturave paralele të Serbisë në Vranje. Dhe disa nga këto akuza i bën para kamerës, ndërsa pas kamerave po thuaj se zbraz të gjithë mllefin dhe urrejtjen që ka ky njeri për qytetarët e këtyre trojeve etnike, (të cilat ishin të tmerrshme edhe për gazetarët dhe të pranishmit e rastit)”, thotë Enver Haziri, në emër të Vatrës.
Ai tha se dëshirojnë t’ia përkujtojnë këtij zyrtari se forcat serbe në 1999-2000 dëbuan me forcë duke i maltretuar, rrahur, ndjekur, disa të arrestuar, mbi 20000 banorë nga Kosova Lindor, djegën deri ne themele shtëpitë e tyre vetëm të mos kthehen në vatrat e tyre dhe për mbi 12000 banorë kurrë më nuk janë krijuar kushte të shkojnë lirshëm, e të mos flasim për kthimin në shtëpitë e tyre. Forcat serbe edhe sot e kësaj dite po e mbajnë të getoizuar me xhandarmëri, polici, e ushtri këtë pjesë të Kosovës Lindore.
“Është krejt e pamoralshme të mendohet, dhe e turpshme të thuhet nga ana e ndonjë zyrtari se qytetarët e Kosovën Lindore kanë ardhur në Kosovë për të marrë pensione ose për një jetesë më të mirë. Andaj, kërkojmë nga z. Lutfi Haziri që të ndërmerr masa disiplinore ndaj z. Velekica nga ky pozicion sepse sjelljet e këtij njeriu nuk janë etike, as profesionale dhe as intelektuale, madje në masë të madhe ka irrituar, por edhe po ndihemi të fyer gjithë qytetarët e kësaj pjese”, thotë Haziri i Vatrës.
Sipas tij, këto sjellje më shumë ngjasojnë me homologët e tij serb, në administratat e tjera që kanë plot urrejtje për shqiptarët, dhe asnjë herë nuk hezitojnë të drejtojnë ofendime, mbase edhe poshtërime të llojit të tillë në drejtim të qytetarëve shqiptarë të Kosovës Lindore.
“Me këtë rast ftojmë qytetarët e dëbuar nga Kosova Lindore të mos ndihen të turpëruar nga njerëzit që nuk dinë asgjë për realitetin e hidhur që na ka ndodhur ne. E në një të largët ndoshta i ka ndodhur edhe këtij ,,zyrtari që paguhet me paratë tona ditën, por edhe na shanë ditën, edhe atë para një opinioni të gjerë, që fatmirësisht të gjithë e dinë të vërtetën, pos këtij “, ka thënë Enver Haziri, sekretar organizativ i Lëvizjes Vatra me seli në Gjilan. /2L ONLINE/