(2L ONLINE) – Kryetari i Lëvizjes Vatra, Sejdulla Kadriu, ia ka dërguar një letër të hapur Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi, në lidhje me një pjesë të popullatës shqiptare të Kosovës Lindore, që kanë mbetur pa dokumente të identifikimit.
Sipas Lëvizjes Vatra kanë kaluar 15 vite e këta qytetarë nuk mbajnë epitetin as të refugjatit, as banorë në shtetin e tyre, madje të përbuzur dhe të lënë pas dore nga “elita” politike e Kosovës Lindore. “Z. Avokat i popullit, dëbimi masiv i shqiptarëve të Kosovës Lindore, u bë në korrik të vitit 1999, (në mënyrë të heshtur edhe më herët) pas vendosjes së forcave policoro-ushtarake në këtë pjesë të territorit shqiptar, e që pjesa më e madhe u vendosën, në Gjilan, Kamenicë, Fushë Kosovë e Prishtinë.
Faktori shqiptar ishte i pandikim të bënte diçka për kthimin e atyre banorëve në trojet prej nga kishin ardhur, sidomos nga Malësia e Bujanocit, Medvegja dhe Karadaku i Preshevës. Këta qytetarë shqiptarë, fillimisht u vendosën si refugjatë, duke shpresuar se së shpejti ushtria dhe policia serbe do të tërhiqen nga vendbanimet e tyre, e këta do të kthehen në vatrat prej nga ishin dëbuar. Mirëpo, kaluan 15 vite e këta nuk mbajnë epitetin as të refugjatit, as banorë në shtetin e tyre, madje të përbuzur këtu, e të lënë pas dore nga ‘ELITA’ politike e Kosovës Lindore!
Qëllimi i kësaj letre për ju z. avokat është se: një pjesë e kësaj popullate kanë mbetur pa dokumente të identifikimit, një e drejtë elementare për të ditur se çka janë, ku jetojnë, e çka do të bëhet me ta në të ardhmen, sepse, pa dokumente identifikimi cenohen shumë të drejta si: sociale, të shkollimit, ekonomike, kulturore etj. me një fjalë u cenohet e drejta të jenë të barabartë me qytetarët tjerë!”, është thënë në letrën e Lëvizjes Vatra.
Më tej në këtë letër është thënë se problemet shtohen edhe më shumë për të rinjtë të cilët, në kohën e dëbimit ishin shumë të vegjël për t’u pajisur me dokumente nga ishin dëbuar, por edhe në vendin ku kishin ardhur fillimisht si refugjatë. “Ata, sot e kësaj dite, nuk mund të pajisen me dokumente, sepse shteti Serb u kërkon që të dëshmojnë se janë duke jetuar në Serbi, po ashtu edhe Kosova u kërkon certifikatën e vendbanimit, dëshmi se kanë pronë në Kosovë. Madje tingëllon absurde, kur institucionet e Kosovës kërkojnë, që këta banorë të sjellin dëshmi nga gjykatat serbe që nuk janë nën hetime”, është thënë në këtë letër drejtuar avokatit të Popullit, Sami Kurteshi.
Sipas Lëvizjes Vatra kjo kërkesë automatikisht i lë pa dokumente ish -pjesëtarët e UÇPMB-së dhe veprimtarët e çështjes kombëtare, të cilët në asnjë mënyrë nuk mund të marrin një dokument të tillë, por edhe po të shkojnë të kërkojnë, do të burgosen nga organet serbe. “Këta qytetarë shqiptarë që 15 vite kanë mbetur peng, nuk dinë çka të bëjnë dhe kujt t’i drejtohen më, (edhe pse Shoqata e më vonë Lëvizja “Vatra”, disa herë nga organet kompetente të Kosovës ka marrë premtime se do të ndërmerret diçka në të mirë të kësaj çështje, por…).
Posaçërisht në gjendje shumë të rëndë gjenden të rinjtë që tash i kanë mbushur 18 vjet. Atyre janë duke u cenuar të drejtat për shkollim, për lëvizje të lirë etj. Me një fjalë u është cenuar ardhmëria”, është thënë në letrën e Lëvizjes Vatra.
Sipas kësaj lëvizje këto probleme dhe pengesa të panevojshme administrative ndaj qytetarëve të dëbuar nga Kosova Lindore, kërkojnë zgjidhje të menjëhershme nga institucionet e Kosovës, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të dëbuar nga kjo trevë të njihen si banorë të Kosovës.
“Kemi kërkuar dhe trokitur në shumë dyer, madje edhe në Rezolutën e aprovuar në Kuvendin e Kosovës është pikë e veçantë kjo, por problemi nuk është zgjidhur akoma, andaj, në emër të Kryesisë së Lëvizjes “Vatra” dhe të qytetarëve hallexhinj, u bëjmë thirrje edhe ju z. Avokat i Popullit, të kërkoni nga organet përgjegjëse të bëjnë lehtësira procedurale për pranimin e nënshtetësisë për këta banorë, të përdorni ndikimin, por edhe autoritetin tuaj, dhe të bëni diçka në të mirë të kësaj popullate, për hir të rinisë dhe të ardhmes së tyre. Të tjerët ndoshta kanë harruar se kjo popullatë nuk është larguar me dëshirë, por para tytave të automatikut.
E këto katrahura besojmë, nuk i keni harruar, ju z. Avokat i Popullit!. Kërkesa jonë është shumë e sinqertë, njerëzore, humane, por edhe kombëtare, ndaj, jemi të bindur se ju, do të ndërmerrni diçka në të mirë të këtyre qytetarëve të lënë pas dore nga të gjithë”, është thënë në fund të letrës./2L ONLINE/