Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave i ka filluar sot përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2021 kundër Turqisë, e cila do të zhvillohet, të premten, në orën 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në stërvitjen e parë në stadiumin e “Agron Rama” në Obiliq, përzgjedhësja Afërdita Fazlija me ndihmësit e saj, Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli punuan me intensitet më të ulët me futbollistet, duke pasur parasysh se gjatë fundjavës që të gjitha ishin të angazhuara në ndeshje kampionale.
Të gjitha lojtaret janë në formë të mirë dhe me entuziazëm të madh e presin sfidën kundër kombëtares turke, me shpresë për ta nisur mbarë këtë cikël kualifikimesh, i cili për herë të parë vjen me format të ndeshjeve vajtje-ardhje.
Kosova bën pjesë në Grupin A, së bashku m e Holandën, Rusinë, Turqinë, Slloveninë dhe Estoninë.
Nesër, Kombëtarja do t’i zhvillojë dy seanca stërvitore, paradite në orën 10:30 dhe pasdite në orën 17:30. Të dyja stërvitjet mbahen në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq.