Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave është duke i zhvilluar përgatitjet për ndeshjen e tretë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021 kundër Estonisë, që zhvillohet më 8 tetor në Tartu, në orën 18:15.
Grumbullimi i të përzgjedhurave të Afërdita Fazlijajt ka filluar më 1 tetor dhe deri tash rrjedha e stërvitjeve ka shkuar sipas parashikimeve dhe të gjitha futbollistet janë në formë të mirë.
Edhe gjatë stërvitjes së sotme, e cila u zhvillua në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, u punua me intensitet të lartë, ku përzgjedhësja Fazlija me ndihmësit e saj Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli u përqendruan në disa aspekte të lojës, me qëllim që duelin me estonet ta presin sa më të përgatitur.
Entuziazmi për rikthim te fitorja është i madh tek secila futbolliste dhe kjo gjë vërehet edhe në përkushtimin e tyre maksimal në stërvitje.
“Dardanet” do ta zhvillojnë stërvitjen e fundit sot në Kosovë, teksa të shtunën në mëngjes do të udhëtojnë drejt Estonisë.
Të rikujtojmë se Kosova gjatë këtij muaji ishte planifikuar t’i zhvillonte dy ndeshje, por përballja e 4 tetorit kundër Rusisë u shty nga UEFA për një datë tjetër.