(2L ONLINE) – Pas prurjes së shumë artistëve dhe ligjëruesve të artit bashkëkohor nga Holanda, Mbretëria e Bashkuar, etj., dhe bashkëpunimit të fundit me “Ars Acta” të Maqedonisë dhe ekspozitës në Galerinë Nacionale të Shkupit, artistët e Qendrës për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” nga Gjilani, do të kenë ekspozitën e tyre virtuale në Rouen të Francës.
Më 16 janar të këtij viti, me konceptin kuratorial të Jeton Mujës, “Tregim nga fëmijëria ime”, në hapësirën alternative për art bashkëkohor, të njohur si “Collectif Denface”, do të jenë pjesëmarrës disa nga këta artistët e grupit: Artan Hajrullahu me vizatime; Avni Rudaku me poezi; Besim Baftiu me ‘sound music’; Din Azizi me instalacion, Jeton Muja me fotografi dhe Kushtrim Zeqiri me video.
I tërë koncepti ndërlidhet me përvojat e ndryshme fëmijërore, duke shfrytëzuar mediumet e llojllojshme për të shprehur këto përvoja dhe për t’i rindërtuar ato. Secili nga artistët rrëfen diçka nga fëmijëria e tij, disa prej të cilave tejkalojnë partikularen dhe kapin universalen, ndërsa disa elemente të këtyre tregimeve janë kryesisht produkte kulturore të mjedisit kosovar, por që janë të shprehura me gjuhë universale artistike.
Kjo ekspozitë do të jetë në vazhdën e synimeve jo vetëm për të sjellur artistë nga bota, por edhe për prezantim të punës së artistëve të “Varg e Vi”-së në vendet e ndryshme evropiane e më gjerë.
Ekspozita do të jetë e hapur për audiencën në Francë nga 16 janari e gjer më 16 shkurt! Ky do të jetë sukses tjetër i radhës i grupit “Varg e Vi”, duke shfaqur para publikut artdashës ndërkombëtar, artin bashkëkohor kosovar./2L ONLINE/