(2L ONLINE) – Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” nga Gjilani ekspozoi në Galerinë Nacionale të Maqedonisë (“Mala Stanica”)! Në këtë ekspozitë u shfaqën me punimet e tyre krijuese dhe artistike: Jeton Muja, Artan Hajrullahu, Besim Baftiu, Avni Shkodra, Kushtrim Zeqiri, Din Azizi dhe Avni Rudaku.
Kuratorja e njohur maqedonase, Ana Frangovska, është shprehur shumë e kënaqur me ekspozitën dhe bashkëpunimin me grupin “Varg e Vi”, duke shpjeguar konceptin e kësaj ekspozite. “Varg e Vi është një nga opsionet e mundshme – një platformë për monitorimin e zhvillimit të artit konceptual në Kosovën e pastranzicionit dhe veprat e tyre në vete përfshijnë të gjitha kujtimet nga tranzicioni në kuptimin politik, kulturor…“ – ka pohuar kuratorja Frangovska.
“Tematika e ekspozitës ka qenë e ndërlidhur me post-tranzicionin, duke mëtuar përplasjet e të vjetrës dhe të rejës dhe ky grup artistësh bashkëkohorë kosovarë janë referencë e suksesshme e Kosovës për prezantim jashtë vendit, siç ishte Shkupi” – ka shtuar Frangovska, duke treguar se falë këtij bashkëpunimi, edhe grup artistësh kontemporanë maqedonë, kishin ekspozuar muaj më parë në Kosovë.
Ndërsa drejtori i “Varg e Vi”-së ka thënë se kjo ekspozitë ka qenë shumë e rëndësishme, pasi që artistët bashkëkohorë kosovarë, u paraqitën me krijimet e tyre për audiencën në Shkup, duke bërë të mundshme njohjen me tendencat e reja bashkëkohore të artit alternativ të Kosovës për recipientët maqedonë e shqiptarë. Ai ka treguar se bashkëpunimet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Deri më tash kemi sjellur shumë artistë të njohur nga vendet evropiane dhe nga rajoni, ndërsa kjo ekspozitë ishte prezantimi i anëtarëve tanë jashtë vendit. Ne do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera të radhës. Ky projekt u mbështet dhe u vlerësua nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë dhe jemi të kënaqur me mikpritjen atje” – theksoi Muja.
Anëtarët e “Varg e Vi”-së u paraqitën me këto krijime: Jeton Muja me instalimin e tij artistik “Në kërkim të një hapësire të re”, Avni Shkodra me fotografi nga puna teatrore dhe performancën e tij “Klasike apo teknologjike”; Din Azizi me performancën “Fuck the transition”, Avni Rudaku me instalacionin artistik, në të cilin shkëpuste pjesë të vargut të tij poetik, me titull: “Fiksimi në madhësi”; Artan Hajrullahu u paraqit me vizatime që shpalonin mënyrën dhe stilin rural të jetesës me titull: “Nostalgjia”; Kushtrim Zeqiri, prezantoi videon e tij “UFO Records my Draëings” dhe Besim Baftiu u paraqit me “Peter Pan” (vepër muzikore të zhanrit alternativ elektronik). Ekspozita do të jetë e hapur rreth dy javë! /2L ONLINE/