Festat e fundvitit kanë qenë gjithmonë momente gëzimi që kanë pasur për qëllim edhe solidaritetin mes tyre. Ato kanë qenë momente të paharrueshme dhe magjike gjatë të cilave të gjitha familjet përpiqen të rikrijojnë një atmosferë të ngrohtë rreth një sofre të përbashkët.
SHkruan: Mirishahe LIMANI HILER
Sot, për fat të keq, kjo periudhë që do të duhej të jetë e përkushtuar për të tregtuar mbështetje, ndihmë dhe përkujdesje është bërë një periudhë shumë e dhimbshme për të moshuarit që e gjejnë veten vetëm ose në shtëpi pleqsh, për fëmijët që jetojnë në jetimore, për pacientët në spitale dhe të varfërit që janë pasqyrë e shoqërisë sonë.
Është edhe më e vështirë këtë vit në Kosovë duke e parë krizën që mbretëron. Është bërë kjo krizë gati e zakonshme në pothuajse të gjitha strukrurat, qofshin ato shtetërore apo private, të cilat po përballen me vështirësi të mëdha morale e financiare.
Për t’i ndihmuar të varfërit, për t’i shoqëruar të moshuarit dhe të tjerët që vuajnë nga izolimi e kanë pak burime, është e duhet të jetë detyrë prioritare e shtetit të Kosovës. Realiteti në terren dëshmon se punohet pak në këtë drejtim. Shteti ynë prodhon mjerim në të cilin varfëria është për të gjithë kurse pasuria e jeta e denjë është për pakicën në pushtet. Tani që arka publike nuk shihet si një çadër që mbronë të pastrehët të braktisur në mes të stuhisë, është e turpshme që të krijosh atmosferë festive e cila mbetet e paprekshme dhe nuk përjetohet nga ata që i cekëm më lart. Shteti ynë edhe sot nuk është në gjendje të bëjë një gjest në favor të popullatës më të prekshme të vendit tonë gjatë kësaj jave të solidaritetit. Pos aty-këtu, gjejmë raste të izoluara, iniciativa për televizione e gazeta, aty-këtu pra shpërndahen ca çokollata, makarona e keksa.
As si një kujtesë, për çudi, zilet, yjet, ndriçimet e shesheve, nuk i përkujtojnë shtetit tim zërin e të moshuarve të vetëm, zërin e jetimave të ndrydhur, zhurmën e nofullave që dridhen të mbytur në acar, klithmën e të sëmurëve që dergjen këndeve e dikush prej tyre edhe në spital. Presidenti i shtetit tim, nuk është i detyruar që të gjithë këta t’i dojë. Është i detyruar bashkë me ne ata t’i ndihmojë. Shumë janë prej tyre që nuk kërkojnë thjeshtë vetëm lëmoshë. Shteti im, ai ka për detyrë të gjejë zgjidhje për problemet e tyre sa nuk është bërë shumë vonë.
Nga disa të rinjë të kryeqytetit mësova se shumë prej tyre dalin e « shetisin » për të bërë një « selfi » afër bredhit xixëllues në qytet, të cilët realisht nuk mund t’ia ofrojnë vetes as vetëm një qaj të nxehtë. Buzëqeshjet e tyre në foto janë të ngrira përderisa krejt afër tyre « të mëdhenjtë » festojnë me verë rrushi, raki të fortë e birra!
Por pse Shteti im është i ftohtë, i shurdhër, memec dhe i verbër për mjerimin e popullit në Kosovë ? A është duke pritur që këmbana të tjera të thirrin për veprim?
Dritat vezulluese terrorizojnë qytetarët tanë që kanë sofrën thatë. Edhe sa i duhet shtetit tim të përballet me barrën e shqetësimit dhe dëshprimit social?
“Bujaria e vërtetë ndaj së ardhmes është të japësh gjithçka për të tashmen. » kishte shkruar Albert Camus.
Sot, bashkqytetarët tanë, të moshuarit, jetimët, të varfërit e të sëmurët ndjehen të dënuar sikur kanë kryer krime. Ata nuk e meritojnë këtë! Vetëm burrat pa nderë dhe pa zemër janë të aftë për një përbuzje të tillë. Historia do të gjykojë! Ne jemi Kosovë, Kosova nuk është pa ne!
Festat e fundvitit kanë qenë gjithmonë momente gëzimi që kanë pasur për qëllim edhe solidaritetin mes tyre. Ato kanë qenë momente të paharrueshme dhe magjike gjatë të cilave të gjitha familjet përpiqen të rikrijojnë një atmosferë të ngrohtë rreth një sofre të përbashkët.
Thirrni sot në sofër fqinjin tuaj, të moshuarit mos i leni vet, përqafoni jetimët, jepni shpresë, të sëmurët shkoni vizitoni, të përballojnë me kurajo çdo natë të gjatë e skamnorëve i gjeni një kulm të nxehtë, ndihmojuni të ecin vertikal në jetë.
Gjenevë, 24.12.2018