DYLON

Personalitetet që e çojnë shoqërinë njerëzore drejt majave të artit

Personalitetet që e çojnë shoqërinë njerëzore drejt majave të artit
Avatar photo Redaksia

/Rreth librit me intervista të Ajete Zogajt: “Dija si art dhe arti si dije” , Prishtinë, 2018/

Shkruan: Akademik Mehmet HALIMI

Ajete ZOGAJ,si zotëruese e mendimeve të veta origjinale dhe të sinqerta, është njëra ndër gazetaret tona të vyera e të rryeja, e cila nëpërmjet intervistave të saja të hollësishme e të detajuara, i qaset çështjeve problemore të artit e të dijes, shkencës e kulturës sonë kombëtare në përgjithësi, me një takt e tempo të matur, me një sens e intuitë të hollë, me mirësjellje e thjeshtësi njerëzore. Mirësjellje, e cila hapë të gjitha portat shpirtërore, sepse asgjë sa thjeshtësia nuk vepron e afron në përvetësimin dhe komunikimin njerëzor.

EkoHigjiena

Ajo,duke shtruar pyetje nxitëse e cytëse, intrigon dhe investigon, heton e zbulon thesarin e pasur të botës së artit,të dijes e të kulturës te personalitetet e zgjuara dhe të shquara,që kanë bërë emër e famë (Deri te e cila arrihet shtegut të ngushtë),jo vetëm në fushën e dijes,artit e kulturës,në trojet kombëtare shqiptare,por edhe në arenën ndërkombëtare. Sepse dija nuk njeh kufij,ajo përhapet e zgjerohet,shfrytëzohet e vlerësohet dhe qarkullon pandalshëm në universin mendimor botëror : si gjaku nëpër trup,uji nëpër tokë (uji është gjaku i tokës) ashtu qarkullon dija e arti nëpër botë.

Meqenëse dy vëllimet e mëparshme me të njëjtin titull: “Dija si art dhe arti si dije I, dhe I I, që u botuan më 2009 dhe më 2010,duke parë suksesin e saj,sepse botimet në fjalë u mirëpritën,u lexuan me interesim,u përjetuan dhe u vlerësuan si vepra të cilësisë së lartë në fushën e artit dhe të dijes, ajo u inkurajua, duke u nxitë nga besa e shpresa, mori guxim e besim, se besimi në vetvete është sekreti i parë i suksesit, ndaj falë aftësisë e mendjemprehtësisë, dëshirës e vullnetit, ajo nisi të meditojë e të shpalojë me vendosmëri e dashuri,”e cila është çelës që hap të gjitha dyert e së pamundurës”(proverb kinez) të hulumtojë e të zbulojë horizontet e dijes dhe të artit të njerëzve të ditur e të ngritur, me namë e me famë, studiues e krijuese, shkencëtarë (historianë e folkloristë) e shkrimtarë e poetë,fetarë e famullitarë,liderë e veprimtarë dhe ta njoftojë publikun lexues e studiues për vlerat e larta artistike e publicistike,shkencore e historike,me të cilat mund të mburret e krenohet populli ynë para opinionit botëror,nga njëra anë,por edhe të marrim shembull e të mësojmë nga dijetarë e filozofë,artistë e publicistë,që kanë arritur vlera kulmore në fushë të dijes dhe të artit tonë kombëtar.

E madje,duke i takuar edhe vetë gjinisë femërore, Ajete ZOGAJ intervistoi edhe pesë krijuese të shkencës,të dijes e të artit dhe veprimtarive udhëheqëse,që janë hijeshia dhe pasuria e popullit tonë,

“Burri i mirë e hijeshon odën ,gruaja e mirë edhe oborrin”(Fj.urtë popullore). Mirëpo, sot gruaja shqiptare si femër e emancipuar,e ngritur dhe e kulturuar ka kapërcyer gardhiqet dhe ka tejkaluar muret e oborrit të shtëpisë të familjeve patriarkale e prapanike.

Ajo sot e hijeshon qytetin e universitetin,si studiuese,ligjëruese e krijuese,e hijeshon edhe parlamentin si deputete e lidere partiake dhe si udhëheqëse shtetërore. Bukurinë e tyre e shton bukuria dhe kuptimi i fjalës, që ato e flasin me maturi e thjeshtësi. Sepse “Modestia është bukuria e vërtetë e një gruaje” (Proverb zviceran). Gruaja është shpirti i shtëpisë dhe themel i shoqërisë,zonjë e shtëpisë dhe nënë e fëmijës,ajo është Nëna e njerëzimit,me të cilën mburret e krenohet,jo vetëm populli e kombi ynë,por mbarë njerëzimi,siç është NËNË TEREZA.

Ne krenohemi edhe me autoren e kësaj vepre – Ajete ZOGAJN,e cila duke krijuar e shkruar shkurt e qartë,sepse “arti i të shkruarit është arti i të shkurtuarit” (A.Çehov), ajo po zbulon dhe po dëshmon prirjen dhe talentin e saj si një gazetare e zellshme dhe krijuese me plot ide,dëshirë e vullnet të paparë.

Është mahnitëse e magjepse aftësia e saj hulumtuese ,e cila e prirur nga mjeshtëria profesionale e gazetarisë arrinë të gjejë e të kontaktojë,të intervistojë e të shestojë,të analizojë dhe të qes në dritë e të ndritë gjithanshëm,veprimtarinë e njerëzve të penës dhe të shtegtojë gjurmëve të jetës së tyre të punës krijuese,ligjërimit nëpër katedra universitare e instutucionale shkencore,kontaktimeve me kultura të popujve të ndryshëm që ata komunikojnë ndërmjetveti falë zotërimit të gjuhëve botërore dhe përkthimit të veprave të krijuesve tanë,sepse njohja e një gjuhe të huaj është një dritare në botë,duke njoftuar popujt e botës me vlerat artistike të dijes e të kulturës sonë kombëtare,nga njëra anë dhe përkthimit të veprave të krijuesve të popujve të botës,në gjuhën shqipe,duke u njoftuar e duke u pasuruar me vlerat e artit,të dijes dhe të shkencës botërore,nga ana tjetër,në mënyrë të ndërsjellë këtë mision e kryejnë për mrekulli njerëzit e dijes dhe të artit tonë kombëtar si prezentues e përfaqësues ndërkulturor apo ambasadorë të diturisë dhe artit botëror.

Mirëpo,për të gjitha këto ndriçime e zbulime, një meritë e veçantë i takon autores së veprës në fjalë për kureshtjen e interesimin,hulumtimin e zbulimin,kontaktimin e komunikimin,mënyrën dhe metodën e afrimit dhe të përvetësimit që përdori me maturi e mjeshtëri t’ u afrohet me mirësjellje të pëlqyeshme e të njerëzishme dhe të pushtojë zemrat e të intrigojë e të zgjojë mendjen,idetë e veprimtarinë e tyre ta shpalosin me gatishmëri e dashuri para gazetares sonë të vyeshme,e cila diti të bëjë “vek pa yrrnek”,
sepse është njëra ndër gazetaret tona unikate, e cila po shënon ngritje e ngjitje kulmore në
fushën e gazetarisë,artit e dijes dhe botimit,sistemimit e studimit të kësaj lënde të vlefshme nga fusha e artit,e dijes,shkencës dhe kulturës.

Nuk është punë as e lehtë as e thjeshtë të gjurmosh e të zbulosh njerëzit e dijes e të artit me namë e me famë,ku janë e ku s’ janë dhe secilit prej tyre veç e veç t’u shtrosh pyetje të veçanta e specifike sipas profesionit e interesimit të fushëveprimtarisë së tyre,sepse duhet ditur shtruar pyetjet mirë e mbarë që të marrësh përgjigje të mira e të mbara,të drejta, të sakta e të qarta,ashtu siç e hedh bujku farën në arë ashtu edhe i mbinë. Ndodh nga njëherë që më vështirë është të formulosh pyetjet e të pyesësh sesa të përgjigjesh. Sepse sado që duken të lehta: “Pyetjet e thjeshta janë ato më të vështirat për t’u përgjigjur” (Frei).

Për t’i intervistuar 16 kandidatë,njerëz të profesioneve dhe të veprimtarive të ndryshme,duhet pasur,jo vetëm durim e interesim,gatishmëri e vendosmëri,vullnet e dashuri,por edhe njohuri e mençuri,e “mençuria është shkenca e bukurisë”(Ditero),dituri e urtësi,e “Dituria është fuqia e mendjes,kurse urtësia është fuqia e shpirtit” (Shanohan), do të thotë duhet pasur edhe përgatitje profesionale e shkencore për të marrë përgjigje e njohuri përkatëse nga shkencat e ndryshme prej njerëzve të profileve të ndryshëm: 4 shkencëtarë, 4 shkrimtarë, 2 poetë, 3 studiues,2 fetarë e famullitarë,një publicist dhe një lidere e udhëheqëse të dy gjinive 10 burra e 6 gra,të thuhen e të shprehen me një gjuhë të pastër e origjinale,sepse “gjuha është gjithmonë vesha e mendimit” (Xhonson), të artikulohet e vërteta dhe kombëtarja në art e në shkencë,sepse “E bukura e artit është e vërteta” (Reishol), duke u përpjekur të zbulojë aftësinë dhe diturinë gjeniale të të intervistuarve,sepse “Gjeniu është njeri i aftë që të thotë gjëra të thella në një mënyrë të thjeshtë”(Ç.Bukovski).

Kritiku e analitiku duhet ta shpreh e ta thotë vetëm të vërtetën,por më parë duhet ta njoh atë. Nëpërmjet pyetjeve me rend e me vend,me logjikë e me arsye, e” arsyeja është më e mprehtë se shpata” (Tuqiditi), Ajete ZOGAJ mori përgjigje në çështje e pyetje të nxehta e të mprehta,të dobishme e të rëndësishme për profesionet e të intervistuarve, për

rëndësinë e veprave të tyre letrare e artistike,shkencore e historike, pedagogjike e filozofike dobia dhe rëndësia e të cilave rritet e shtohet,zgjerohet e thellohet me përsosjen e përkryerjen e tyre, dhe kur ato afrojnë edhe dokumente, veprat e tilla të artit e të dijes mund të kualifikohen e cilësohen si monumente të kulturë,të artit e të shkencës.

Duke gëzuar e shfrytëzuar lirinë e fjalës dhe të mendimit,pa pengesa e pa cezurë politike të anarkisë moniste, Ajete Zogaj iu përvesh punës,jo vetëm si gazetare regjistruese,por edhe si gazetare e autore krijuese e studiuese e artit dhe e dijes,e cila u tregua produktive me prurje të pasura,me librin e tretë,me të njëjtin titull: “Dija si art dhe arti si dije”, arti është e vërteta dhe e vërteta është besimi,ndaj bukuria e veprës së saj është bukuria e fjalës,arti gjuhësor muzikal e orgjinal.

”Muzika është gjuha e vërtetë e të gjithëve”(Veber).Por edhe gjuha e pastër,stili i rrjedhshëm e sintaksa e fjalisë së përsosur është m u z i k ë e origjinalitetit gjuhësor. Origjinaliteti i veprës së autores në fjalë,nuk qëndron vetëm në stilin e saj të saktë,të qartë e të kuptueshëm,por edhe në mënyrën e metodën e të menduarit,taktin e prekjes e gjetjes së problemeve, durimin e interesimin e qasjes dhe të komunikimit ndërbisedor me personalitete të shquara të intervistuara,ajo duke qenë e bindur në besën e shpresën e saj, arriti të sajojë veprën e saj,jo vetëm të suksesshme,por edhe të vlefshme,sepse përveç talentit e prirjes së saj për të shkruar,na njoftoi me një dyzinë shkencëtarësh e shkrimtarësh,njerëz me famë e namë në fushën e dijes e të artit,që kanë krijuar e shkruar vepra madhore nga fusha e kulturës,arit e shkencës kombëtare shqiptare me përmasa të vlerave botërore,të cilët kanë ndërtuar ura ndërkulturore ndërmjet popujve e gjuhëve të ndryshme.

Janë këto personalitete që e çojnë shoqërinë njerëzore drejt majave më të larta e më të përsosura të artit,të shkencës,të prodhimit dhe të mendimit njerëzor,të cilët dijnë dhe shohin deri atje,ku të tjerët nuk shohin asgjë,ndaj ata janë mburrja dhe krenaria jonë kombëtare e botërore.

Një meritë dhe mirënjohje e veçantë për këtë vepër i takon autores Ajete Zogaj, e cila
veprimtarinë e personaliteteve të intervistuar dhe përgjigjet e tyre i përjetësoi me shkrim,jo vetëm në gazetë (media ditore),por edhe në veprën e saj: “Dija si art – arti si dije” III, me vlerë të përhershme kulturore e artistike,publicistike e shkencore,filozofike e historike,të cilat stivohen e shtresohen dhe përhapen si margaritarë në kulturën e njerëzimit dhe zënë vend në thesarin e dijes botërore.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.