Për t’i dhënë intensitet aktiviteteve dhe organizimeve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, Kryesia e Degës nga mbledhja e fundit ka formuar shtabin zgjedhor në kuadër të përgatitjeve për fillimin e fushatës zgjedhore dhe përcaktimin e agjendës së aktiviteteve.
Me aklamacion nga anëtarët e kryesisë u votua që shtabin zgjedhor ta udhëheqë Vana Jerliu Ramadani, njëherësh edhe anëtare e kryesisë në nivel qendror, e cila është zotuar që këtë proces do ta udhëheqë me përgjegjshmëri të lartë dhe nga ky shtab do të dalin edhe shumë projekte të cilat do të jenë në dobi të qytetarëve gjilanas.
Shtabi zgjedhor do të ketë edhe departamentet e tij me njerëzit me përvojë të gjatë në organizimin e zgjedhjeve, që do të jenë udhëheqës të këtyre departamenteve siç janë:
departamenti për marrëdhënie me publikun, departamenti për platformën zgjedhore lokale, departamenti i logjistikës, departamenti i vullnetarëve, departamenti për legjislacion parashtresa dhe ankesa, departamenti i ruajtjes së votës komisionerët dhe vëzhguesit, departamenti i kandidatëve për asamble komunale, departamenti për agjendë dhe aktivitete.
“Jemi të bindur se me organizimin dhe prezantimin e planeve, projekteve që do t’ia ofrojmë qytetarëve përmes kandidatëve tanë për asamblenë komunale kemi me qenë alternativa e vetme serioze për një Gjilan ma ndryshe dhe me perspektive për të gjithë qytetarët”, thonë në AKR.