Gjatë periudhës kohore nga 17 janari e deri më 02 shkurt, Policia e Kosovës, njësitë policore pranë stacionit policor të Gjilanit, që janë të angazhuar me Plan Operativ, duke u bazuar në listat e personave të kërkuar me urdhëresa nga gjykata, kanë arritur që t’i identifikojnë personat e dënuar dhe realizojnë ato urdhëresa, duke i arrestuar dhe sjell në vuajtje të dënimit personat e kërkuar.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se janë realizuar gjithsejtë dyzet e nëntë (49) urdhëresa me burg efektiv, me vuajtje dënimi me gjithsej tridhjetë e gjashtë (36) vite e 1 muaj burg.
Janë realizuar gjithsej njëzet e pesë (25) urdhër arreste për paraqitje në gjykatë. Janë legjitimuar gjithsej tridhjetë e dy (32) persona mirëpo nuk kane rezultuar te kërkuar.
Ai tha po ashtu se policia ka marr konfirmime për shtatëmbëdhjetë (17) persona që gjenden jashtë shtetit të Republikës së Kosovës të cilët persona kanë tetëmbëdhjetë (18) urdhëresa me burg aktive dhe njëzet e gjashtë (26) urdhëresa për paraqitje në gjykatë.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi bashkë me institucionet tjera të sigurisë do të veproj në zbatimin e ligjit duke sjell para drejtësisë të gjithë ata persona që janë përgjegjës dhe kanë ra ndesh me ligjin dhe normat ligjore”, ka thënë zëdhënësi Hashani.