Më 12 korrik, rreth orës 08:00, alpinistja Uta Ibrahimi ngjiti edhe majën “Gashurburum 1” (8,058 metra lartësi mbidetare), majën e 11-të më të lartë në botë, pjesë e vargmalit Karakorum, në Pakistan.
Për të arritur deri në kampin bazë (5,200m), është dashur të ecë 150-160 km nëpër kampe të ndryshme, një shteg i përzier me gurë (morane) e akullnaja. Ngjitja prej Kampit bazë deri në Kampin 2 (6500m) ka qenë ngjitje krejtësisht pa litar dhe mjaft e rrezikshme sidomos për faktin e cravasasve – mirëpo ngjitjet janë bërë me litar në mes të ngjitësve të ndryshëm.
Për në Kampin 3 (7,200m), ngjitja ka qenë kryesisht teknike, me pjerrtësi prej 50-65% dhe gurë e akull.
“Ngjitjet nga kampi në kamp janë përgatitje e rëndë për sulmin drejt majës, por janë edhe mundësi e mirë për të takuar dhe biseduar me alpinistë nga e gjithë bota dhe kuptohet, për të ju treguar për Kosovën tonë, për malet tona. Me shumë prej tyre e vazhdoj bisedimin edhe pas ekspeditës, dhe në raste të njëjta, disa edhe e kanë vizituar Kosovën”, shprehet Uta Ibrahimi.
Kjo ngjitje është pjesë e ekspeditës “14 majet e Himalajeve”, e filluar nga Uta Ibrahimi për të ngjitur gjithsej 14 majat më të larta të botës – një ekspeditë që shumë pak e kanë realizuar në botë (deri mëtani 3 gra te vetme nga e gjithë bota).
“Kjo është maja e 5-të 8,000 metërshe që e kam ngjitur, çka zyrtarisht më bën alpinisten e vetme në Ballkan që i ka ngjitur 5 maje mbi 8,000 metërshe – duke e kaluar alpinisten nga Sllovenia (e cila i ka 4 maje të ngjitura). Kam ende maje për ti ngjitur (edhe 9 tjera), por nuk do të ndalem. Jam shumë e lumtur që vazhdoj të promovoj Kosovën nëpër ngjitje, të vendosi flamurin tonë kudo që ngjitem, dhe të ju tregoj botës për bukuritë tona natyrore që vlen të vizitohen”, ka thënë Uta nga Islamabadi, Pakistan.
Kjo ekspeditë është përkrahur nga: Ministria e Kultures, Rinisë dhe Sportit te Kosovës, Red Bull, Park Hote- Shkup, Aeroporti i Prishtines-Limak, Turkish Airlines dhe Familja Begeja.