(2L ONLINE) – Unioni i Studentëve Pro Europian (USPE), si organizata më e madhe studentore në Republikën e Kosovës reagon rreth ndarjes së çmimeve për “Studentët e Dalluar të Universitetit të Prishtinës“ me rastin e eliminimit në momentin e fundit të studentes Ermira Halimi, studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, qendra në Gjilan e cila ka notën mesatare 9.76.
Betim Sherifi, sekretar i përgjithshëm i USPE-së dhe Senator në UP, tregon qëndrimin zyrtar në bazë të cilit thotë se janë njoftuar me rastin e eliminimit të studentes në fjalë pas përfundimit të ndarjes së çmimeve.
Sherifi tha se Ermira Halimit iu mohua marrja e çmimit padrejtësisht pasi studentja në fjalë I plotësonte kriteret për të qenë fituese meritore e këtij çmimi simbolik por nuk ka njohuri mbi arsyen se pse ajo në momentet e fundit është larguar nga lista.
Sherifi shtoi se kanë kontrolluar listën përfundimtare dhe aty figuronin student me notë mesatare edhe më të ulët andaj do të kërkojnë nga njësia akademike dhe rektorati sqarim rreth këtij lëshimi.
USPE në vazhdimësi do të jetë afër studentëve duke përcjellë me përkushtimin më të madh të gjitha proceset që ndodhin brenda Universiteteve dhe duke qene përherë me dhe për studentët, thuhet në këtë reagim. /2L ONLINE/