Sot, në Ministrinë e Mbrojtjes filloi aksioni humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, sesioni i dytë për këtë vit, për nevoja të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës dhe nëpërmjet saj për pacientët në nevojë.
Ushtarak dhe civil, gra e burra, punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes pa dallim në detyra dhe grada, u përgjigjen masivisht aksionit humanitar për dhurimin e gjakut, disa edhe për të dytën herë brenda këtij viti, e shumica prej tyre janë tanimë janë dhurues të rregullt.
Dhurues i rregullt vullnetar është edhe gjeneral major Gëzim Hazrolli, drejtor i drejtorisë së Operacioneve i cili së bashku me stafin tjetër të Ministrisë së Mbrojtjes i përgjigjen çdoherë këtij aksioni shumë human.
Mbarëvajtjen e aksionit nga afër e përcollën, kolonel dr. Xhevdet Tahiraj, drejtor i departamentit për Çështje Mjekësore në Ministrinë e Mbrojtjes si dhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, dr. Bukurije Zhubi.
Nga mëngjesi dhe derë më tani, aksionit i janë përgjigjur mbi 50 dhurues vullnetar të gjakut dhe pritet që deri në mbarim të orarit të punës ky numër të jetë akoma më i madh.
Aksioni humanitar i dhurimit vullnetar të gjakut, i dyti për këtë vit, po zhvillohet bazuar në planin e veprimit për vitin 2019 të drejtorisë për Politika dhe Plane, përkatësisht departamentit për Bashkëpunim Civil-Ushtarak dhe drejtorisë së Operacione/ departamenti për Çështje Mjekësore dhe do të vazhdoj të zhvillohet në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, deri më datë 2 shtator 2019.